Ronaldo portierit të Belgjikës: Ishit me fat, topi nuk donte të hynte në portë

Cristiano Ronaldo e përdori një shprehje tipike në futboll për t’i thënë Thibaut Courtoisit se Belgjika ishte me fat në fitoren 1:0 kundër Portugalisë të dielën, duke pretenduar se topin nuk dëshironte të hynte në portë.

Thorgan Hazard e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Belgjikën në Estadio de La Cartuja, për ta dërguar skuadrën e Roberto Martinezit në çerekfinale.

Portugalia dështoi në përpjekjet e saj për ta mbrojtur trofeun evropian, të fituar më 2016, dhe u largua nga Euro 2020 me vetëm një fitore, dy humbje dhe një barazim.

Ronaldo, i cili i shënoi pesë gola, më së shumti deri tani në këtë turne, ishte në kërkim të një rekordi personal, përveç lavdisë me atdheun.

Ai synonte ta thyente rekordin e legjendës së Iranit, Daei, për më së shumti gola ndërkombëtar, pasi e kishte barazuar rekordin e tij prej 109 golave në ndeshjen paraprake kundër Francës.

Sulmuesi 36-vjeçar i Juventusit e rrezikoi portën e Thibaut Courtois vetëm një herë, kur e detyroi atë ta bëjë një pritje brilante me një goditje të fuqishme nga gjuajtja e lirë por nuk u vërejt më në vazhdim.

Portugalia ka mundur ta barazonte rezultatin në dy raste 10 minuta para fundit, por goditja e fuqishme me kokë e Dias u ndal nga Courtois, para se Guerrero ta godiste shtyllën pak çaste më vonë.

Në një video të publikuar nga UEFA në Twitter, Ronaldo dëgjohet duke i thënë Courtoisit se Belgjika ishte me fat me një shprehje tipike italiane (Culo, eh?), para se t’i thoshte në spanjisht: “Topi nuk donte të hynte në portë”.

Ronaldo më pasi i uroi fat Belgjikës për pjesën e mbetur të garës. Djajtë e kuq belgë do të përballen me Italinë në çerekfinale të premten në Munih.

Exit mobile version