Ronaldo sfidon Mesin

Fitimi i Topit të Artë nga Kristiano Ronaldo ka ndezur sërish sfidën mes yllit të Realit të Madridit dhe Leo Mesit. Argjentinasi është sërish para dhe komandon me rezultatin 5-4 në garën se cili prej tyre ka fituar më shumë çmimin më prestigjioz individual në botën e futbollit. Dhe është padyshim interesante të dëgjosh Ronaldon teksa flet për rivalin e tij të madh, e madje lëshon edhe një provokim intrigues.
“Nëse do të kisha luajtur bashkë me Mesin, tani do të kisha fituar më shumë Topa të Artë. Do të ishte vërtet interesante ta shikonim njëri-tjetrin në të njëjtën skuadër. Mendoj se futbollistët e mëdhenj duhet të luajnë bashkë. Kështu që unë mendoj se nëse do të kishim luajtur bashkë do të kisha fituar më shumë unë se sa ai, por gjithsesi nuk do të kishte ndonjë distancë të madhe”, u shpreh Ronaldo.
Përtej sugjerimit të Ronaldos, lufta mes tyre vazhdon dhe portugezi pavarësisht vlerësimit dhe respektit për yllin e Barcelonës garanton se dueli mes tyre në distancë do të vazhdojë të dhurojë kënaqësi të mëdha për të apasionuarit pas futbollit. “E dinë të gjithë që Mesi është një lojtar i madh, ka fituar 5 herë Topin e Artë. Unë do të kërkoj ta parakaloj në sezonet e ardhshme. Do të jem aty për ta luajtur këtë sfidë, si gjithmonë”, tha portugezi.
Të dy do të gjenden sërish përballë njëri-tjetrit, më 9 janar, këtë herë për Çmimin Lojtari më i Mirë i Vitit nga FIFA, me Ronaldon që sërish mbetet favorit.

Exit mobile version