Cristiano Ronaldo shpallet sportisti më i paguar në botë për vitin 2016. Është revista prestigjioze “Forbes”, ajo që e ka zbuluar këtë nëpërmjet një klasifikimi të përpiluar prej saj, të cilën portugezi e kryeson me 88 milionë dollarë të përfituara vitin e kaluar.
Në vendin e dytë gjendet argjentinasi Lionel Mesi me 81.4 milionë dollarë që ka lënë pas Lebron James. Ylli i Cleveland Cavaliers plotëson podiumin e “Forbes”, pasi në 2016 arriti të përfitojë 77 milionë dollarë. Klasifikimi vijon me legjendën e tenisit Roger Federer, të pozicionuar në vendin e katërt dhe Kevin Durant në vendin e pestë.
Në klasifikimin e “Forbes” të sportistëve më të pasur spikasin edhe emrat e Novak Djokoviç, Cam Newton, Phil Mickelson dhe Jordan Spith. Dhjetëshja e sportistëve më të paguar në botë plotësohet nga një emër i madh i basketbollit botëror, Kobe Bryant edhe pse ish-lojtari i Lakers tashmë është tërhequr.