Rooney rikthehet në fushë pas dy muajsh

Dy muaj pas dëmtimit në gju, Wayne Rooney është rikthyer në fushë, me skuadrën e të rinjve të Manchester United, që në “Old Trafford” u përball me Middlesbrough. Sulmuesi anglez u aktivizua si titullar, ndërsa mungonte prej 13 shkurtit. Në këtë mënyrë, 30-vjeçari, që është edhe kapiten i përfaqësueses së Anglisë, ka nisur fazën e fundit të rehabilitimit, me shpresën se do të rikuperohet në kohë, për të qenë pjesë e Tri Luanëve në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Nën sytë e trajnerit Louis van Gaal, sulmuesi luajti 61 minuta me ekipin e të rinjve, duke u larguar më pas nga fusha. Paraqitja e tij përpara më tepër se 6 mijë tifozëve kaloi pa lënë gjurmë dhe rreziku i vetëm u krijua nga një goditje standarde, që përfundoi mbi traversë. Goli i fitores së vendasve u shënua nga Paddy McNair, vetëm pak momente pasi Rooney ishte zëvendësuar.
Sipas drejtuesve të klubit të Manchester United, me progresin e shfaqur në aspektin fizik, Rooney mund të luajë edhe në ndeshjen e përsëritur me West Ham, që “Djajtë e Kuq” do të luajnë në çerekfinalet e FA Cup. Prej dëmtimit në gju, në sfidën ku United u mposht në fushën e Sunderland-it, lojtari ka humbur 12 ndeshje të skuadrës.

Exit mobile version