Odise Roshi dhe Bekim Balaj e nisën me këmbën e mbarë aventurën e tyre të re te skuadra e Terek Grozny. Në javën e parë të Premier League ruse, Roshi ishte vendimtar për skuadrën e tij, pavarësisht se e nisi ndeshjen nga stoli, ndërsa shkodrani Balaj luajti që nga minuta e parë. Mesfushori i kombëtares kuqezi hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 59-të dhe në të 75-tën falë një shpërthimi të tij arriti të fitojë një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Grozav.
Ky ishte goli i vetëm i ndeshjes për Terekun në fitoren 1-0 ndaj Samaras, që i dha dhe 3 pikët e para në kampionat skuadrës nga Grozny. Balaj gjithashtu bëri një ndeshje të mirë në debutimin e tij zyrtar teksa qëndroi në fushë për 83 minuta, duke qenë shpeshherë i rrezikshëm për të tijtë. Shkodrani u transferua në Rusi gjatë zhvillimit të Europianit francez, ndërkohë që Roshi iu bashkua vetëm pak javë më parë. Të dy futbollistët sezonin e kaluar ishin pjesë dhe e ekipit të Rijekës në Kroaci, ndërsa aventura ruse duket se ka nisur mjaft mirë për të dy lojtarët, që kanë patur dhe një vëmendje të madhe edhe nga mediat.