Roshi: Kemi shanse për kualifikim

Kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2016-të, kaloi edhe nga këmbët e tij. Tashmë që ëndrra është bërë realitet me kombëtaren kuqezi që do ta marrë pjesë për herë të parë në një kampionat europian, Odise Roshi po shfrytëzon momentin dhe është gati të shkruajë historinë, me përfaqësuesen shqiptare në Francë. “Do të kisha dëshirë t’i krosoj në të treja ndeshjet ato topa, por kemi 3 ndeshje të vështira. Ajo me Zvicrën do të jetë më e rëndësishmja, pasi po morëm 3 pikët në atë sfidë kemi shanse të mira për të kaluar më tej”, u shpreh Roshi.
Ky sezon i tij te Rijeka nuk ka qenë ndër më të mirët në karrierë, por tani që është në Kombëtare, Roshi e ndjen se duhet të japë gjithçka për kuqezinjtë. “Në çdo stërvitje duhet të japim 100%, normale që emocione do të kemi, sepse tashmë e kemi realizuar ëndrrën, e kemi prekur me dorë. Po stërvitemi mirë dhe do të japim maksimumin në miqësoret ndaj Katarit dhe Ukrainës përpara ndeshjes ndaj Zvicrës”, tha ai.
Duhen ende dhe dy javë nga starti i kampionatit, por lojtarët në mendjen e tyre kanë filluar tashmë të bëjnë llogaritë e pikëve. Në ndryshim nga Gashi, Roshi është i kënaqur dhe me minimumin që të jep kalimin në raundin tjetër. “Unë do të isha i kënaqur me 6 pikë, por edhe me 4 pikë besoj se e kalojmë grupin”, tha Roshi.
Humori në një grumbullim është i rëndësishëm dhe Roshi është nga ata lojtarë që i jep rëndësi harmonisë në skuadër. “Duhet të kesh harmoni në ekip. Unë përpiqem shumë që të kemi harmoninë e duhur në ekip dhe më pëlqen të bëj humor”, tha ai.
Por cili është lojtari më serioz i ekipit. “Ai që qesh më pak është Shehi, dmth Orgesi qesh, por është serioz”, u shpreh Roshi.
Përsëri intensitet dhe seriozitet, të gjitha këto në sytë e dhjetëra tifozëve shqiptarë, që kanë ndjekur për rreth 75 minuta stërvitjen e kombëtares sot pasdite. Ajo ka filluar në orën 17:30 dhe ka patur më shumë element taktikë dhe teknike brenda saj. Fillimisht janë zhvilluar tipe të ndryshme kuadratesh dhe lojë me porta të vogla në hapësira shumë të ngushta.
Pas ushtrimeve fizike, kombëtarja ka vazhduar programin e saj, si edhe paradite duke e zhvilluar pjesën e dytë të seancës, në fushën kryesore. Janë aplikuar ushtrime taktike përpara portës, me grupe të vogla futbollistësh, ku një pjesë mbronte, ndërsa pjesa tjetër sulmonte. Të gjitha këto ushtrime përfundonin me goditje në portë. Në stërvitje kanë marrë pjesë edhe Ansi Agolli që ka mbërritur rreth orës 15:00, Taulant Xhaka, Armando Sadiku dhe Naser Aliji. Por ata janë stërvitur në mënyrë individuale dhe jo bashkë me grupin tjetër të futbollistëve. Madje e kanë mbyllur stërvitjen përpara shokëve të tyre, që kanë vazhduar normalisht.
Një grup tjetër tifozësh shqiptarë, kanë ardhur sot pasdite dhe kanë ndjekur të gjithë seancën stërvitore, ndërkohë që pas përfundimit të saj, ata kanë bërë fotografi dhe kanë marrë autografe nga lojtarët kuqezinj. Edhe nesër regjimi i skuadrës vazhdon me 2 stërvitje në orën 10:00 dhe 17:30 dhe me konferencën e shtypit në orën 12:00.

Exit mobile version