Elvis Roshi rrezikon arrest me burg për shkak të mashtrimit të tij në lidhje me formularin e vetdeklarimit të dekriminalizimit.
Prokuroria ka nisur hetimin ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi për falsifikim të dokumenteve në formularin e dekriminalizimit. Ky zhvillim vjen një ditë, pasi Rroshi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë. Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin dhe është regjistruar kryesisht hetimi për kryetarin e dorëhequr të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “Falsifikimit të dokumentave” në procesin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Sektori i posaçëm në Prokurorinë e Përgjithshme nisi verifikimin, në bazë të të dhënave të vetëdeklaruara nga subjekti Rroshi në formularin e publikuar tashmë, si edhe në sqarimin publik të bërë nga vetë subjekti, lidhur me shkaqet e dorëheqjes së tij. Në këto kushte, u urdhërua nisja e hetimit për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Në bazë të verifikimeve paraprake, Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme konstaton se, subjekti Elvis Rroshi nuk ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit dënimin e dhënë nga autoritetet italiane disa vite më parë. Fakti që ka qenë i dënuar nga autoritetet italiane, është pranuar publikisht edhe nga vetë subjekti. Pasi Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve për falsifikim dokumentesh ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, ky i fundit nëse shpallet fajtor rrezikon një dënim nga 6 muaj burg deri në 4 vite burgim. “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”, thuhet në ligjin për Dekriminalizimin të miratuar me konsensus nga mazhoranca dhe opozita.
Në formularin e vetëdeklarimit, ish-kryebashkiaku i Kavajës nuk kishte përmendur faktin që ka qenë dënuar në Itali për “përdhunim në grup” në vitin 1992. Një ditë më parë, ai dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Kavajës, duke pranuar se ishte dënuar në mungesë në Itali. Por sërish edhe në reagimin e parë Rroshi gënjeu, duke thënë se ishte dënuar për rrahje në një sherr në kampin e refugjatëve, ndërsa dëshmia e penalitetit tregon se ai ishte dënuar për “përdhunim në grup” në moshën në kohën kur ishte 16 vjeç.
Rroshi falsifikoi edhe çertifikatën e penalitetit të autoriteteve gjermane
Dorëheqja e Elvis Rroshit nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kavajës vjen disa ditë pasi ai publikoi një çertifikatë penaliteti, të gjeneruar nga Zyra Federale e Drejtësisë gjermane. Por dëshmia e penalitetit të Elvis Rroshit ka disa pika të paqarta që vënë në dyshim autenticitetin e saj. 1) Në formularin e dekriminalizimit, Rroshi pranoi se ndryshimi i emrit nga Ervin në Elvis u bë me vendim gjykate në nëntor të 2002. Rroshi thotë se doli para gjykatës në Mynih, para vitit 2002, pra para se të ndryshonte emrin, nga Ervin në Elvis. Rrjedhimisht çertifikata e penalitetit duhej të ishte kërkuar me emrin Ervin Rroshi. Por Rroshi në dokument, për herë të parë e identifikon veten me dy emra njëkohësisht: “Elvis Ervin Rroshi”. Me këtë emër të dyfishtë, kryetari i Bashkisë së Kavajës pretendon se është i pastër për të dy emrat. Por emërtimi i dyfishtë që i ka vënë vetes “Ervin Elvis Rroshi” lë hapësirë për dyshime, pasi para vitit 2002 ai mbante vetëm një emër, Ervin Rroshi. 2) Një pikë tjetër e dyshimtë në kartelën e penalitetit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës është firma dhe vula në fund të dokumentit. Nëse vihet re me kujdes, në fund të fletës janë të shkruara disa rreshta me germa të vogla, që zbulojnë handikapin e dëshmisë penale të Elvis Rroshit. “Dieses Führungszeugnis wurde mit Hilfe automatischer Einrichtungen erteilt und nicht unterschrieben” që përkthehet: “Kjo çertifikatë u prodhua automatikisht nga një pajisje dhe nuk përmban asnjë firmë”. Ky shënim në fund të çertifikatës ngre dyshime për firmën dhe vulën që ekziston në dokument. Ajo nuk mund të jetë nënshkruar apo vulosur në asnjë mënyrë nga një zyrtar gjerman, pasi legjislacioni i këtij vendi e saktëson qartë se kjo tip çertifikate nuk përmban firmë apo vulë. Atëherë përse është firmosur dhe vulosur çertifikata e penalitetit e kryetarit të Bashkisë së Kavajës dhe nëse këto e bëjnë të pavlefshëm dokumentin? 3) Pavarësisht të gjitha dyshimeve për vërtetësinë e tij, kjo tip çertifikate ka një limit kohor për rekordet kriminale që ka kryer personi. Sipas të dhënave, çertifikata gjeneron krimet e bëra deri në 10 vjet më parë, (përveç krimeve seksuale, që kanë një limit kohor më të gjatë). Vepra kriminale, për të cilën Elvis Rroshi thotë se nuk e mban mend, është kryer para vitit 2002, pra më shumë se 14 vjet e 5 muaj më parë, para më shumë se 10 vitesh, rrjedhimisht rekordi i tij kriminal nuk llogaritet nga shteti gjerman në këtë çertifikatë. 4) Një dëshmi e tillë penaliteti mund të kërkohet edhe online, nga vetë personi i interesuar. Në të shënohet adresa ku është dërguar dëshmia e penalitetit. Lart majtas fletës së dokumentit, në krah të Elvis Rroshit është një adresë në Hanover, ku rezulton se kjo çertifikatë është dërguar me postë nga Zyra Federale gjermane. Por pavarësisht se është postuar në Hanover, siç duket në këtë pjesë të fletës është edhe adresa ekzakte e Elvis Rroshit në Kavajë, rruga “S.Guraj”, Nr. 6519 dhe kodi postar i Kavajës, nr. 2500. Ekzistenca e dy adresave në dokumentin më lart ngre dyshime të forta për mënyrën si është marrë ky dokument ose në rastin më të mirë i bën të paqarta të dhënat e tij.