Roshi urdhëron militantët të prishin takimin e Bashës, revoltohen qytetarët

Një militant i urdhëruar nga Elvis Roshi tentoi të prishte takimin e djeshëm të kreut të PD, Lulzim Basha me qytetarët e Kavajës. Ndërsa kreu i PD po ndante me qytetarët e Kavajës shqetësimet që presin sot çdo familje shqiptare duke nisur nga varfëria, papunësia e deri tek degradimi i rendit dhe sigurisë nga njerëz të inkriminuar e me pushtet si rasti i Elvis Roshit, një militant ka ndërhyrë gjatë takimit duke dalë në mbrojtje të Roshit e duke vlerësuar figurën e tij. Ndërhyrja e porositur e militantit të Roshit ka nxitur revoltën e qytetarëve të Kavajës, të cilët kanë nisur të thërrasin “Poshtë Rama! Poshtë kriminelët!
Kreu i PD, Basha tha se Kavaja do të refuzojë të përfaqësohet me individë që akuzohen për trafik droge, krim të organizuar apo përdhunime siç është rasti i Elvis Roshit.  “Populli i Kavajës i përçmon ata që i veshën Kavajës imazhin e përdhunuesit dhe trafikantit të drogës. Populli i Kavajës nuk i pranon këto vese, i përbuz këto vese. Populli i Kavajës është populli që vrau frikën i pari, është populli që u ngrit i pari për liri e demokraci. Qytetarët e Kavajës i dhanë heronj luftës së fundit çlirimtare në Europë, luftës së Kosovës. Qytetarët e Kavajës janë qytetarë fisnikë.
Kjo është një qeverisje e korruptuar që e ka lidhur fatin e vet me fatin e banditëve si Elvis Rroshi,  i cili, sot, përkundër ligjit vazhdon të ushtrojë funksionet e kryetarit të bashkisë. Përse i duhet Edi Ramës, Elvis Rroshi?
I duhet sepse i trembet votës së lirë dhe të ndershme, sepse i trembet gjykimit me votë nga populli i Kavajës, i trembet gjykimit me votë nga qytetarët e Shqipërisë.
Por unë i garantoj sot qytetarët e Kavajës se do të jem në ballë të kësaj beteje derisa të kemi një qeveri për qytetarët, një qeveri që garanton lirinë, dinjitetin, demokracinë, punësimin dhe zhvillimin e Kavajës dhe gjithë Shqipërisë.
Nga kjo betejë, nuk kthehemi pa fitore. Nga kjo betejë nuk kthehemi pa garantuar lirinë e votës tuaj, që zëri juaj të dëgjohet dhe asnjë qytetar i Kavajës të mos jetë më i braktisur, i harruar, i nëpërkëmbur dhe i poshtëruar.
Bashkë më 18 shkurt për liri, për demokracinë, për Kavajën, për qytetarinë!” u shpreh Basha.

Exit mobile version