Rrëfimi i gruas së kokoshkave: Me lekët që mblidhja blija ilaçet

Policia Bashkiake gjatë ditës së mërkurë i ka sekuestruar karrocën një shitëseje ambulante. Pas publikimit në media të videos ku gruas i ra të fikët në mes të rrugës pasi i ishte sekuestruar mjeti me të cilën siguronte bukën e gojës dhe lekët për ilaçet, ajo ka folur në lidhje me ngjarjen, gjobën e marrë dhe gjendjen shëndetësore të saj.
Unë jam Trëndelina Aliko. Kam lindur në Elbasan dhe jam 52 vjeçe. Vij nga një familje me tetë fëmijë dhe prindërit tanë kanë punuar gjithë jetën në Metalurgjik. Kam tre fëmijë, dy goca, një çun. I kemi rritur me thërrime kur i thonë llafit.
Jeta ime ka qenë një karvan i rëndë hallesh e vuajtjesh. Në 1991 morëm një shtëpi sociale, aty në Elbasan, brenda Metalurgjikut. E morëm me leje nga organet që ishin atëherë. Ishte e pabanueshme, por ishte e jona. Ndoshta ndër të paktat raste gëzimi që më ka dhënë kjo jetë.
U vumë bashkw me burrin dhe e rregulluam. Futëm dhe letrat për legalizim, por nuk arritëm dot ta gëzonim. Erdhën këta që privatizuan Metalurgjikun dhe na nxorrën nga shtëpia. Nuk dinim si të mbroheshim, thjesht nuk dinim si të mbroheshim. Ata ishin shumë të fortë për ne. Ne ishim një plesht përpara atyre. U dorëzuam.
Erdhëm në Tiranë me shpresën e një jete më të mirë. Jetojmë me qera. Çuni ndenji pak dhe kur s’bëri dot gjë as këtu, iku në emigracion. Tani jetojmë me njërën nga gocat, se tjetra është martuar.
Gjithë burimi ynë i jetesës është ajo karrocë kokoshkash. Është drita e syve tanë, buka e përditshme. Mundohem që të kënaq njerëzit dhe e ndjej që ata kënaqen nga kokoshkat e mia. Të gjithë m’i lavdërojnë. Vajzat e shkollës aty afër vijnë të gjitha blejnë tek unë dhe kjo më gëzon. Si çdokush që do të gëzohej kur njerëzit ja bëjnë hallall atë lek që i japin.
Fitoj 700-800 lekw në ditë. Por jo çdo ditë. Kur bie shi pwrshembull. Dal dhe rri tek vendi i zakonshëm, më tepër që të jem në paqe me veten. Por unw e di, askush nuk blen kokoshka kur bie shi. I shoh njerëzit që nxitojnë prej shiut dhe as kokën nuk kthejnë. I kuptoj.
Dhe kështu ikën ajo ditë. Ndodh që shiu zgjat me ditë të tëra. Dhe gjëja që mendojmë bashkë me burrin është çfarë do të hamë? Me se do të paguajmë qeranë?
Tani që jam edhe e sëmurë, hallet shtohen edhe më. Këto ditë që është hapur pak koha, kam punuar pak më gjatë që të mblidhja lekët për ilaçe. Mw duheshin edhe 600 lekë që t’i plotësoja dhe thashë se me të djeshmet do të më plotësoheshin. Por ndodhi ajo që ndodhi.
Nuk dua të punoj pa rregulla me shtetin. Ja shikoni që kam çuar kërkeswn për pajisje me licencë që në dhjetor vjet, por s’më kanë kthyer përgjigje. Por mua më duhet të dal, se dua të ushqehem e të paguaj qeranë…çdo ditë. Prandaj nuk pres dot derisa të më kthejnë përgjigje.
Edhe dje, kur erdhën ata zotërinjtë e Policisë Bashkiake, u munduam t’i sqaronim, por ata na thanë që ashtu ishte rregulli. Prandaj dhe vajza ju njoftoi juve të “Nisma” Thurje, sepse vetë nuk dinim si ta zgjidhnim.
Gjithsesi ajo histori, iku. Juve si Thurje, ju falënderoj shumë për ndihmën që na u gjendët për gjobën dhe për ilaçet, ua kemi borxh.
Sot kur dola nga spitali, vajza më tha që në internet aty janë ofruar shumë veta për të na ndihmuar. Qava kur m’i lexonte ato fjalët që kishin thënë. Qava, sepse e kuptoj që thellë-thellë njerëzit janë të mirë të gjithë. Është koha që jetojmë, ajo që i detyron disa të nxjerrin anën e keqe.
Unë i bekoj nga zemra dhe iu uroj që Zoti t’i shohë të gjithë në shtwpitë e tyre e në familjet e tyre, mbarë e mirë. Një mijë herë Zoti i bekoftë. Por faleminderit! Ajo që do nëna, është vetëm të më jepet ajo licenca dhe të punoj e qetë. Vetëm këtë. Nëse ka mundësi do t’u kërkoja të gjithëve t’i dërgonin një mesazh Kryetarit të Bashkisë që të më nxjerrw licencën që të punoj pa frikë. Dua të jetoj jetën që më ra në pjesë, ashtu me halle dhe vuajtje siç ma caktoi Zoti, por dua ta jetoj me dinjitet.
Trwndelina, është gruaja që Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit i morën karrocën e kokoshkave njw ditw mw parw. Për shkak të tronditjes ajo pësoi gjendje të fikti dhe u desh disa orë të merrte veten. Historia e saj dhe video më poshtë u publikua nga Nisma “Thurje”, duke u bërë hit në internet dhe duke u shpërndarë me mijëra herë si lajm.

Exit mobile version