Pranvera Shehaj
Unë jam si hije e ardhur prej mëkateve të një tjetër bote. Më mban gjallë urrejtja, mllefi, dëshira për t’u hakmarrë ndaj çdo frymori që jeton me besimin në Zot. Jam universal, mishërim i një mendjeje të mbrapshtë që struket si zvarranik në strofullën e vdekjes. Jam ambasador i një lufte të paemër, të pafe, të pajusifikueshme… i një lufte që ia ka dalë ta kthejë paqen në një ëndërr të largët. Unë jam pranë teje në çdo hap që hedh dhe të urrej për faktin se adhuron ekzistencën. Unë të luftoj dhe të vras sepse më mbush shpirtërisht ekstaza e vdekjes, se adhuroj të përgjak, se bekohem kur mëkatoj, se më qetëson çmendurisht shija e lotit të nënës tënde, të motrës tënde, të bashkëshortit tënd, të birit tënd, të mikut tënd.
Ti më flet lutje, për ZOT… Të dëgjoj dhe më shokon verbëria jote ndaj dikujt që unë s’e njoh. Sepse unë nuk njoh asnjë Zot, unë kam ardhur në këtë botë prej vdekjes dhe i bindem vetëm asaj, të vetmes që më jep forcë, që ma kthen frymën në fuqi dhe makthin në ëndërr. Të vetmes që më bën ta shoh jetën si objekt i ekstazës së çmendurisë. Ti më mallkon, më gjykon, më përndjek, më arreston, më përgjigjesh njësoj duke më vrarë… por, ulërima jote mua më ushqen, më jep sadisfaksionin e shumëdëshiruar. Pasi e dëgjoj atë ulërimë, pasi shoh i dehur se si lotët dhe gjaku përlyejnë rrugët, jam i gatshëm ta lë këtë botë si misionar i denjë i vdekjes, i mëkatit, i demonit të urrejtjes së pamotivuar.
Ekzaktësisht kështu u ndjeva dje… nuk kishte parajsë më hyjnore se sa kukullat që rrëzoheshin rrugëve dhe u binin nga krahët fëmijëve që merrja përpara, se sa tmerrit dhe terrorit që mezi dalloja në errësirën e natës së 14 korrikut, se sa ulërimat e qindra humanëve që vraponin për t’i shpëtuar eksitimit tim të vdekjes. Aty kuptova sa e lehtë është të gjesh lumturinë te vdekja, të qeshurën tek ulërima dhe kënaqësinë tek dhembja. Aty kuptova sa forcë paskam patur, sa i pranishëm paskam qenë, sa triumfuese paska qenë urrejtja ime ndaj lindjes dhe perëndimit të diellit, ndaj një bote që lëviz dhe merr frymë, që lutet dhe prehet, që beson dhe i trembet mëkatit, që bekon të nesërmen dhe falet për të djeshmen. Aty kuptova se si mund ta kthej çdo sekondë në një makth vrastar, se si mund ta përlyej të bardhën me të zezë.
Nuk di pse e bëj, pse i vras, pse i shtyp si kërmij të padobishëm dhe thërras me zë të lartë dikë që as e njoh, as e kam parë kurrë përderisa nuk kam ardhur në këtë botë prej tij. Thërras “Allah” dhe më duket se lidh me zë të lartë disa germa të pakuptimta të gjuhës së humanëve. E thërras dhe vras, vras dhe e thërras, pa mundur të gjej asnjë lidhje mes të dyve. Më kanë thënë se ky emër do të më bëjë më pak të çmendur në sytë e tyre, do t’i japë kuptim bojës së zezë që rrjedh në venat e mia, por prapë nuk arrij ta kuptoj pse e thërras. E thërrita edhe dje, kur shkelja mbi trupat e pajetë të disa qenieve të vogla, kur lyeja rrotat e kamionit me një ngjyrë të kuqe ndryshe nga ajo që rrjedh në venat e mia, kur qeshja si skizofren i pandalshëm me ulërimat dhe terrorin që shihja në sytë e disa mizave që ecnin si të ndërkryer. E thërrita ashtu kot, pa e njohur, pa i pasur frikën, pa e dashur, pa e përfillur, pa e ditur se ç’lidhje mund të ketë me misionin tim.
E pasi mbarova gjithçka, u ula të shijoja panoramën që krijova me këto duar. Ishte një mozaik mallkimesh, frike, gjykimi, urrejtjeje, lotësh, dhembjeje… ishte një errësirë që mua më jepte forcë. Midis tyre kishte edhe nga ata që tentonin të më jepnin një mbrojtje të papaguar. Që nuk më quanin terrorist, por hakmarrës… që çmendurisë sime i jepnin një motiv, e justifikonin dhe besonin se do ndjeja më pak faj. Kishte nga ata që luftës sime i ngjisnin një kauzë, i jepnin një arsye dhe e bënin mëse universale, madje e kthenin në një luftë të drejtë të nisur nga tjetër kush. Këta tentonin ta çdramatizonin masakrën që linda me aq mundim, u dukej vetja racionale, të arsyeshëm, kërkonin të vendosnin shenjën e barazisë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe pa dashur ktheheshim në avokatë vullnetarë të djallit. Më besoni kur them se këta të fundit ma çuan vërtet humorin në ekstazë! Vërtet besonin se unë vrava krishtërimin, Perëndimin, modernen? Ah sa rëndë gabojnë…! Unë vras frymorin, humanin, të pafajshmin, birin, bijën, nënën, motrën, shokun, komshiun, kalimtarin. Unë kam një uri ujku për të vrarë besimtarin dhe ateistin, sepse unë vras atë që adhuron ekzistencën. Unë vras jetën, dëshirën për të urryer vdekjen. Harrojeni sot e përgjithmonë… unë nuk kam kauzë, as motiv, as hakmarrje sepse unë nuk mund të hakmerrem. Kjo është arsyeja pse unë nuk flas për luftë. Unë nuk njoh kundërshtar. Unë do të vras në Lindje dhe Perëndim, në çdo cep ku ka humanë që qeshin, që jetojnë, që besojnë, që falënderojnë dikë për lindjen e diellit. Unë kam vetëm një hobi, një hobi skizofrenik dhe delirues… mua më jep jetë vdekja. Ndaj vras, ndaj urrej, ndaj s’mund të më vrasin…
Pranvera Shehaj – diplomuar në degën “Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare” pranë “Università degli Studi di Trento”, Itali