Ka mundur të zbardhet një pjesë e shkurtër e dëshmisë së dhënë nga piloti italian, Guidi përpara grupit hetimor. Gudi ka thënë se ai do të paguhej 20 mijë euro për çdo rrugë të transportit të drogës që do të bënte nga Shqipëria në Itali. Piloti italian po ashtu ka dëshmuar, duke treguar edhe emrat e trafikantëve, të cilët i kanë kërkuar që të bëjë transportin e drogës. Guidi ka thënë para grupit hetimor se, kokat e këtij grupi që kanë kontaktuar me të kanë qenë dy persona. Bëhet fjalë për një trafikant droge nga Shqipëria dhe një tjetër nga Italia. “Të dy këta trafikantë kanë qenë të dënuar edhe më parë për trafikun e drogës”, ka thënë prokurori italian në dëshminë e tij.
Pakti me Prokurorët e Krimeve të Rënda që çoi në lirimin e pilotit italian vetëm pak orë pas shoqërimit të tij, ka qenë pikërisht identifikimi i porositësve të drogës. 69-vjeçari Guido Guidi, u ka treguar hetuesve emrat e shqiptarëve porositës të drogës në Milano, dhe atyre në Shqipëri. Dy prej anëtarëve të bandës së trafikut të drogës, shtetas italianë i ka sjellë nga Milano në Bari dhe se aty i ishin dorëzuar hartat e pistës në Ishëm, ku edhe mbërriti me avion, për të testuar këtë pistë.
Ky pohim i pilotit para prokurorëve faktoi edhe akuzat e ngritura nga ana e tyre pas uljes së detyruar të avionit në Ishëm, edhe pse në mjetin fluturues nuk u gjet drogë. Por bazuar sërish në dëshminë e pilotit, droga do transportohej në një kohë tjetër, ndërsa këtë herë, ai ndodhej në Ishëm për të testuar pistën. Por këtë të premte, piloti i avionit në orën 02:00 të mëngjesit është kthyer nga avioni i tij, i shoqëruar me një patrullë policie dhe agjentësh, ku mori GPE-sin si provë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Do t’ju tregoj emrat e porositësve dhe atyre që do jepnin drogën, por më lini të lirë. Këtë herë erdha të testoja pistën, por nuk jam paguar për këtë fluturim”, mësohet të jetë shprehur Guido Guidi.
Pronarët e tokës kanë thënë se, tokën jua kishin dhënë me qira afatgjatë personave që e kishin kërkuar atë. Personat që e kishin marrë me qira kishin bërë me dije se do të ndërtonin një pistë hipizmi dhe për këtë arsye do të sheshonin tokën qe të garonin me kuaj. Është një sipërfaqe prej rreth 500 apo 700 metrash gjatësi, e cila është kthyer në pistë. Por avioni Piper i pilotuar nga Guido Giudi, nuk është ulur në këtë pistë, por në arën e pashkelur, aty, ku u dëmtuan dhe dritat e avionit që përfundoi në mes të shkurreve.
Pas marrjes së dëshmive të banorëve të fshatit Likmetaj, çobanëve të zonës që panë rënien e avionit, dhe dëshmisë së pilotit italian, për prokurorin e Krimeve të Rënda, të gjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë. Burimet policore bënë me dije se, avioni tip Piper do të mbahet nën mbikëqyrje të policisë deri në zhvendosjen e tij. Por zhvendosja e avionit është pothuajse e pamundur nga policia për shkak të terrenit të vështirë moçalor dhe rrugës së amortizuar.
Në telefonin e Guidos numra zyrtarësh të lartë të qeverisë
Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale akuzoi kreun e qeverisë, Ramën dhe Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se fshehën për afro pesë orë ngecjen e avionit në Ishëm, të Durrësit. Duke i’u referuar burimeve policore, Berisha bën të ditur se në telefonin e pilotit janë gjetur numra zyrtarësh të lartë qeverie.
Piloti trafikant dhe aerodromi “Saje qorri” nxjerrin çullak Edvinin dhe Tahirin! Porositësit e drogës janë njerëzit e tyre. Rama dhe Tahiri fshehën për mbi 5 orë ngecjen e avionit të drogës në Ishëm dhe aerodromin e ri të trafikut të drogës, të cilin qytetarët dixhitalë e kanë pagëzuar si aerodromi “Saje Qorri”. Ata besonin se mund të fusnin në thes jo vetëm aeroplanin, por dhe aerodromin dhe se do të kalonin pa u marrë vesh nga media dhe publiku!
Mirëpo avionin dhe aerodromin nuk ka thes që i nxë, madje as thasët virtual të Nastradinit! Oficerë të ndershëm nga komisariati i Durrësit njoftuan ish-ministrin e Brendshëm Flamur Noka, dhe ai, nga Parlamenti informoi shqiptarët për ngjarjen! Pas këtij denoncimi Rama dhe Tahiri në Parlament sikur të ishin avoketër të Guido Guidit deklaronin në mënyrë të përsëritur se piloti ishte nisur nga Bari për në Itali të Veriut dhe se ai thjesht kishte ngatërruar rrugën.
Burime nga policia njoftojnë se, një deklaratë të tillë nuk e kishte bërë asnjëherë piloti trafikant Guido Guidi. Por kjo ishte deklarata që atij do t’i imponohej për të bërë në Prokurori, në mënyrë që ai të fshihte të vërtetën dhe të kthehej në Itali si një turist që thjesht ngatërroi rrugën. Mirëpo Guido, para fytyrës së Ramës dhe Tahirit zgjodhi interesin e tij. Refuzoi të bëjë në hetuesi deklaratën që Rama dhe Tahiri bënë në Parlament, pasi e dinte se fshehja e krimit rëndonte ndëshkimin e tij dhe se narko-aeroporti dhe narko-avioni nuk mund të fshiheshin, ndaj dhe pranoi misionin e tij kriminal, duke nxjerrë kështu çullak avoketërit e tij me pushtet ministri dhe kryeministri dhe premtoi bashkëpunim të plotë me drejtësinë.
Në telefonin e tij, si rastësisht, sipas një burimi policor janë gjetur numra zyrtarësh të lartë e shumë të lartë kanabist të qeverisë!