Rrëfimi në gjykatë i kreut të trafikut të drogës: Po i kam shërbyer Dakos

Vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca për personat e arrestuar në kuadër të operacioni policor Volvo 4, mes tyre dhe dy ish-deputetët e PS-së, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.
Në nisje të kësaj seance Astrit Abdyli është shprehur se ai është një nga mbështetësit e Vangjush Dakos dhe ka thirrur “Rroftë PS”.
Teksa ka vijuar të rrëfejë njohjet me Dakon, Avdyli tha se i ka shërbyer kryebashkiakut, pasi ka besuar tek programi i tij dhe i PS. Duke përfshirë më tej emra të njohur të politikës Avdyli tha se, më herët i kishte shërbyer ish-kryeministrit Berisha dhe Agron Dukës, por më pas kishte ndërruar krah politik.
“Vangjush Dakos i kam shërbyer. Besoj në programin e tij dhe të PS-së. Më herët i kam shërbyer Berishës dhe Agron Dukës. Por tani kam ndryshuar kah politik. Kam qenë i persekutuar, kam bërë burg politik”, ka pohuar Avdylaj në Gjykatë.
Astrit Avdyli është cilësuar nga ana e policisë si koka e grupit të Avdylajve, të cilët akuzohen për disa vepra penale.
Vetë kreu i Bashkisë së Durrësit në disa dalje të tij televizive nuk e ka mohuar njohjen e tij me Avdylajt e Shijakut, por është shprehur se nuk është në shkelje të asnjë ligji në vend, pasi ai ka të drejtë që të takojë çdo qytetar.
Mësohet se në seancën që po zhvillohet te Krimet e Rënda janë të pranishëm dhe ekspertë amerikanë, që po monitorojnë. Shkatërrimi i laboratorit të drogës në Has që çoi më pas dhe në kapjen e personave të tjerë është bërë në bashkëpunim me disa agjensi të huaja ligjzbatuese.
Kujtojme se 24 anëtarë të grupit të Shijakut dhe të Lezhës, duke përfshirë edhe dy ish deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko kërkojnë sot lirinë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.
Në seancën e zhvilluar më 24 tetor në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë dhe tek Krimet e Rënda në Tiranë nga 34 të arrestuarit si pjesë e operacionit ‘Volvo 4’, në burg u lanë 24 prej tyre. Ndoka dhe Cuko patën kërkuar veçimin e dosjes së tyre nga bandat, por kërkesa nuk u pranua nga trupa gjykuese.

Exit mobile version