Të gjitha projekt-propozimet që kanë të bëjnë me fushën e turizmit dhe që do të mbërrijnë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nga aktorë të ndryshëm, të huaj ose vendas, do të duhet të zbatojnë disa kritere të qarta.
Udhëzimi i ministrisë ka hyrë tashmë në fuqi dhe aktivitetet e propozuara duhet të përfundojnë brenda datës 31 dhjetor. Tematikat kanë të bëjnë me përmirësimin e produkteve turistike si në fushën e etnografisë, kulturës, aventurës, gastronomisë, etj., dhe në promovimin e tyre.
Subjektet duhet të paraqesin një sërë dokumentesh ku mbi të gjitha duhet të vërtetojnë se janë në gjendje që të financojnë 100% të gjitha kostot e projekteve. Nëse aplikuesi është i huaj, ai duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat me dokumente. Zyrtarisht thirrjet për projektet do të mbyllen në datë 13 nëntor dhe pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë aplikim. Procesi i vlerësimit zgjat 10 ditë dhe fondi në dispozicion është 22 milionë lekë.