Të paktën 27 njerëz të strehuar në një shkollë në Gazën qendrore, kanë humbur jetën tragjikisht pas një sulmi ajror izraelit.
Gazetarët vendas thanë për BBC se një avion luftarak izraelit qëlloi dy raketa në klasat në katin e fundit të shkollës në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Zyra mediatike e Hamasit tha se të paktën 27 persona u vranë dhe akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre të tmerrshme”.
Ambulancat dhe ekipet e shpëtimit dërguan të plagosurit menjëherë në një spital aty pranë.
Ndërkohë pamjet e tmerrshme të publikuara në mediat sociale treguan klasat e shkatërruara të kthyera në një morg.
“Mjaft luftë! Ne jemi zhvendosur dhjetëra herë. Ata na vranë fëmijët ndërsa flinin,” bërtiti një grua e plagosur në një video që po qarkullon në rrjet.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se avionët kishin kryer një “sulm në një kompleks të Hamasit të ngulitur brenda një shkolle të UNRWA në zonën e Nuseirat”.
IDF tha në një deklaratë se kishte “eliminuar” “terroristët” e Hamasit dhe Xhihadit Islamik që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, kur rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Të paktën 36,580 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të Hamasit.
IDF tha se kishte ndërmarrë hapa përpara sulmit ajror për të “ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve të papërfshirë”.
Më herët, ushtria izraelite tha se kishte marrë “kontroll operacional” mbi zonat lindore të kampit të refugjatëve Bureij dhe qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore, pasi dhjetëra palestinezë u raportuan të vrarë.