Rrezik për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

Nga Frank Shkreli

Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqësi i një vendi siç është Shqipëria, e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara. Dhe për çka? Duket se zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë”, ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump, gjatë një interviste në televizionin Klan “Kosova”. Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Sipas agjencive të lajmeve, Rama u citua të jetë deklaruar jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të shqiptarëve se sipas tij, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe padyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”. Megjithë peshën e rëndë të këtij prononcimi, zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe asnjë fakt për të justifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump. Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidh Trumpin me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhëniet dypalëshe.
Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar sa që njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mend për një minut, se Donald Trump zgjidhet President i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama më 20 janar 2017, ditën e inaugurimit të presidentit të ri? A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Uashingtonit, në mënyrë të njëanshme? Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria? Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me votat e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetësi kryesor i të drejtave të shqiptarëve.
Për ndryshe duhet bërë pyetja se pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama? Është e pabesueshme që të merret me mend që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh. Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, mua nuk më kujtohet ndonjë rast që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët – as për mirë as për keq – prandaj lind pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratën e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.
Deklarata e zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur. Reagimet ndaj deklaratës së tij duket se nuk ia çajnë fort kokën. Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe ekspertët shqiptarë do të kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjshme të kryeministrit të tyre, si masë të parë dhe ndër të tjera masa, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është kjo dhe jo ajo..…se marrëdhëniet tona janë të forta pa marrë parasysh se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera. Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nëpër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqëson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasysh dallimet politike dhe partiake.
Është në rregull, por e pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë që është, falë kryesisht rolit amerikan në rrëzimin e komunizmit në Europë përfshirë Shqipërinë që të përzihet drejtpërdrejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati, të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij siç është edhe e të gjithë neve. Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar zotit Rama është: është e drejta e jote të kritikosh Trumpin ose këdo tjetër, po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, zoti Kryeministër? Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?
Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti dhe as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqësi të caktuar ose të një partie. Sa për dijeni, Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe lidhjet me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull – midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqësish në kohë të caktuara as midis partishë politike, bazuar në interesat e tyre ideologjike afatshkurtër e sy qorrë.
Në të vërtetë, deklarata e Kryeministrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në Kosovë është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë. Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre. Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës. Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri – ka luajtur dhe vazhdon të luaj edhe sot rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zëvendësueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan. Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë për nga anëtarësia partiake, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqësuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Megjithë ndasitë që ekzistojnë në çdo komunitet, në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar. Ka ditur të krijojë mbështetje për Shqipërinë dhe për Kosovën duke kultivuar përkrahjen për shqiptarët nga presidentë amerikanë, republikanë dhe demokratë, si dhe nga anëtarët e Kongresit amerikan të të dy partive. Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër midis dy partive politike amerikane, kur vjen puna për mbështetjen e interesave të shqiptarëve, për të cilën ka punuar për shumë dekada komuniteti shqiptaro-amerikan. Përballë deklaratës së zotit Rama, lind pyetja nëse udhëheqësi i sotëm i Shqipërisë i konsideron këto marrëdhënie si të tilla – të rëndësishme dhe të patjetërsueshme – me ose pa Trumpin – ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë? Apo ndoshta preferon të lobojë për një parti amerikane kundrejt një tjetre. Jo se do të ketë ndonjë influencë në këtë përpjekje, por gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, kur kryeministri i një vendi si Shqipëria të shpallet publikisht pro ose kundër një kandidati në fushatën amerikane për president. Kjo nuk ecën në Amerikë dhe nuk pranohet as nga njëra as nga tjetra palë politike amerikane. Është kjo një përpjekje që do përçante jo vetëm mbështetësit amerikanë të kauzave shqiptare, por do të shkaktonte ndasi të ngjashme si në kohën e komunizmit edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla, nga një udhëheqës shteti.
Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si një individ ose si udhëheqës të qeverive të ndryshme që kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tija. Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim nga ndonjë president ose kryeministër i ndonjë vendi që të ketë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve bilaterale siç bëri Edi Rama në rast se fiton Donald Trump. Madje as udhëheqësit meksikanë, të cilët ndër të tjera kanë kritikuar më ashpër se askush kandidatin republikan, duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin ilegal. Madje as Meksika nuk ka kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket si një alternativë gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.
Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga reagimet e më të mirëve udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë. Në një intervistë me gazetën “Huffington Post”, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftëse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftëse zgjidhet. Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra-tjetrën. Por megjithkëtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënie konstruktive dhe pozitive, theksoi kryeministri kanadez. Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqësi kanadez gjatë intervistës me “Huffington Post” as nuk e kritikoi as nuk e mbështeti kandidatin Trump dhe as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Uashingtonit, nëqoftëse fiton Donald Trump. Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për t’u marrë me individë, por se njëkohësisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqësi kanadez.
Edhe ti zoti Rama mos u shqetëso aspak, por të kesh besim dhe bindje se populli amerikan, siç nënvijoi ndër të tjera edhe Trudeau, ashtu si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhshëm. Dhe njëkohësisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni zoti Rama – pa marrë parasysh se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen, se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju dhe qeveria juaj si tepër të rëndësishme për t’u marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë për president. Uroj gjithashtu që në fund të vizitës tuaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Uashingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvendësueshme dhe në interesin afatshkurtër dhe afatgjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan. Uroj zoti Kryeministër që në fund të vizitës në Amerikë, të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe se kur të kthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkëkombasit e t’u se vendimi i votës së lirë të amerikanëve këtë vit, nuk do të ketë kurrfarë pasojash në marrëdhëniet amerikano-shqiptare, megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjshme në Prishtinë, për të kundërtën. Këtë ua ke borxh shqiptarëve. Kjo është përgjegjësia jote.

Exit mobile version