Rrezik vdekje në shkolla nga droga

Droga ka mbërthyer edhe shkollat duke rrezikuar jetën e nxënësve jo vetëm të gjimnazeve por edhe atyre më të vegjël, të shkollave 9-vjeçare. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në shkollën 9-vjeçare “Jashar Hoxha” ku 6 nxënëse janë toksifikuar si pasojë e djegies së lëndëve narkotike në ambientet e shkollës.
Bëhet e ditur se në dy klasa, njëra në kat të parë dhe tjetra në kat të tretë janë mbushur me tym hashashi. Alarmi është dhënë kur 6 nxënëse të kësaj shkolle kanë përfunduar në spital për shkak se janë droguar.
Duke iu referuar të dhënave të shprehura nga vet Drejtori i Shkollës si dhe prindërit e nxënësve bëhet e ditur se disa nxënës të tjerë kishin përdorur drogë në ambientet e klasës dhe kjo ka ndikuar tek gjendja shëndetësore e nxënësve të tjerë. Këtë e ka shprehur edhe drejtori i shkollës me disa prindër dhe nga përdorimi i drogës nga disa persona të tjerë fëmijëve ka filluar t’u bjerë të fikët një e nga një dhe kanë përfunduar në spital.
Sipas nxënësve në këtë shkollë, 6 nxënësit janë droguar nga njerëz të jashtëm të cilët rrinë pranë shkollës. Fëmijët janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa janë duke u mjekuar. Drejtuesit e shkollës kanë njoftuar policinë e cila nisi hetimet në lidhje me këtë skandal por ndryshe nga sa do duhej të vepronte, policia e urdhëruar nga Rama-Tahiri u përpoq të fshihte ngjarjen duke manipuluar të dhënat.
Ngjarja ka ndodhur në 8:30 të mëngjesit por është e mbajtur e fshehtë nga policia, e cila vetëm pas denoncimit të rastit në media nxorri një komunikatë të shkurtër për shtyp ku u përpoq të shtrembëronte arsyen e vërtetë që çoi në spital 6 fëmijët e shkollës 9-vjeçare në Paskuqan.
Policia dezinformoi opinionin publik në lidhje me ngjarjen që po ndodh në shkollën 9-vjeçare “Jashar Hoxha” në Paskuqan. Me anë të përdorimit të medias, duke u dhënë informacione jo të vërteta, policia ka hequr vëmendjen nga fakti se 6 vajza kanë përfunduar në spital pasi janë droguar, duke thënë se janë helmuar me acid. Në fakt, dëshmitarë në vendin e ngjarjes të cituara nga mediat kanë bërë të ditur se dy klasa të shkollës janë mbushur me tym hashashi.

Debati në Parlament

Ngjarja e helmimit të 6 nxënësve në shkollën “Jashar Hoxha” ka ngjallur debat mes partive në Parlament, ku deputetët e PD-së pretendonin se ata janë helmuar nga lëndët narkotike, ndërsa vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj konfirmoi se ky lajm nuk ishte aspak i vërtet.
“Në dijeninë time nuk ka asnjë shenjë helmimi të nxënësve. Pretendimet e opozitës janë të pavërteta”, tha ai.
Ndërkohë që ish-Kryeministri, Sali Berisha tha se nxënësit ishin helmuar dhe më parë duhet të pritur rezultatet e analizave mjekësore.
“Ky është shembulli më tipik sesi babëzia dhe korrupsioni të verbon, sesi babëzia dhe korrupsioni të zhvesh nga çdo ndjenjë njerëzore. Një ministër qoftë dhe toksikologë nga profesioni nuk mundet kurrë të flasë në këtë mënyrë se më parë duhet të presë rezultatet e analizave. Ky është degradim total i sistemit shëndetësor”, tha Berisha.
Ai theksoi se “policia po fsheh një ngjarje kriminale, po fsheh se në shkollë është djegur hashash. Njësoj siç bëri edhe me kërcënimin e prokurorit”.
Është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Prindi thotë këtu të vërtetën sepse ka vajzën aty.
“Ky është shembulli më tipik sesi paaftësia dhe korrupsioni të shurdhon, sesi babëzia dhe korrupsioni të nxjerr trupin jashtë shpirtit, sesi të zhvesh nga çdo ndjenjë njerëzore. Por një ministër qoftë edhe toksikolog nga profesioni, nuk mund të flasë kurrsesi në këtë mënyrë” tha Berisha.

Denoncimi i prindit: Në klasë u dogj hashash

Ish kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament ngjarjen dramatike në shkollën e Paskuqanit, Ja se çfarë më shkruan në ora 13:20 prindi i një nxënëseje: “Përshëndetje zoti Berisha, jam prindi i një goce që studion në shkollën 9-vjeçare ‘Jashar Hoxha’ në Paskuqan dhe sot ka ndodhur një ngjarje që policia s’do ta shfaqë, por do ta fshehë si ngjarje e rrezikshme në shkollë. Kanë djegur hashash ca njerëz të paidentifikuar dhe policia s’ka bërë asnjë lëvizje për kapjen e tyre dhe e shfaq ngjarjen si helmim dhe e shfaq këtë helmim si një ngjarje që nuk ka lidhje me djegien e hashashit”.
Berisha denoncoi se Policia po fsheh një krim të shëmtuar ndaj nxënësve të shkollës. Policia fshehu aktin kriminal që ndodhi ndaj prokurorit të Matit. Policia është bërë vetëm zbatuese e një direktive: djegin gjithsej 1% të kanabisit që presin, grumbullojnë për Partinë Socialiste, për llogari të PS dhe çunave të krimit 98% të të gjithë kanabisit që pritet, i cili nuk është më shumë se 3-5% të kanabisit. Po ndodh një fenomen i paimagjinueshëm. Kanabisi është bërë bimë shtetërore, bima e shtetit kanabist. Dje nuk janë zbuluar 10 tonë, por 22 tonë kanabis, por kudo kanabisin Rama ka porositur në mënyrë të prerë që çdo rrënjë që pritet të kalojë në magazinat e partisë. Po le ta ndajmë këtë me atë që u ndodh fëmijëve pasi është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Prindi thotë të vërtetën”.

Deputetët e PD në spital: Hetim të plotë të rastit

Deputetët Asllan Dogjani dhe Roland Keta vizituan dje repartin e Toksikologjisë në QSUT, ku po trajtohen nxënëset që patën probleme shëndetësore dje në një shkollë në Paskuqan, pas dyshimeve serioze të përdorimit të drogës në ambientin e klasës së tyre. Të gjitha shenjat dhe dëshmitë tregojnë se në shkollë është konsumuar hashash dhe kjo ka sjellë pasoja në shëndetin e nxënësve. Deputeti Dogjani tha se, këto janë pasojat e drogës, e kanabizimit të vendit. Ai tha se shenjat që shpjeguan edhe vetë prindërit bashkë me fëmijët, kishin djegie sysh, lot dhe erë e rëndë, pra shenja që jepen për shkak të përdorimit të drogave të përdorura nga të tjerë në klasë
“Ne jemi të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, sepse ata ishin të moshës shumë të vogël, 11, 12 vjeç. Pashë që erdhën edhe persona me uniforma të policisë, të cilët në mënyrë të kundraligjshme po kontaktonin me ta. Në fund të fundit të kontaktosh me një fëmijë duhet psikologu dhe prindi pranë. Nuk e kuptoj se çfarë duhet të fshehë shteti me këtë mënyrë që vjen për të kontaktuar me fëmijët. Na shpjeguan prindërit e tyre, se që në 8 të mëngjesit, sapo janë futur në shkollë, nga era, ka filluar t’u bjerë fëmijëve të fikët dhe kanë ardhur disa ambulanca, duke i dërguar disa fëmijë në spitale private. Nuk janë vetëm këto 6 vajza këtu. Janë edhe fëmijë të tjerë që janë në spitale private. Ajo që kuptuam, shenjat që shpjeguan edhe vetë prindërit bashkë me fëmijët, kishin djegie sysh, lot dhe erë e rëndë, pra shenja që jepen për shkak të përdorimit të drogave të përdorura nga të tjerë në klasë. Nga informacionet që kemi, disa nxënës të tjerë kanë përdorur drogë.
Këtë e ka shprehur edhe drejtori i shkollës me disa prindër dhe nga përdorimi i drogës nga disa persona të tjerë fëmijëve ka filluar t’u bjerë të fikët një e nga një dhe kanë përfunduar në spital. Kjo ka ndodhur që në 8:30 të mëngjesit dhe është kuptuar tani. Pra janë munduar ta fshehin. I kanë dërguar si fillim në pediatri, më pas këtu.
E rëndësishme është që gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ne komunikuam edhe me mjekun, pra janë jashtë rrezikut. Problemi i madh është se droga po përdoret jo vetëm në këtë shkollë, por në të gjitha shkollat, sepse nga masivizimi i bimës narkotike, nxënësit e klasës së tetë mashtrohen. Sepse po të hyjmë në psikologjinë e tyre e gjejnë më lehtë. Eshtë një problem shumë i madh. Mjekët kanë bërë disa analiza, por rezultati i analizave të drogës nuk mund të dalë vetëm se ka ndjerë erën. Nga informacionet që kemi nga nxënësit, dikush tjetër ka përdorur drogën atje. Për shkak të erës u ka rënë të fikët një e nga një.
Ministria e Arsimit duhet të marrë masa, sepse kjo është e tmerrshme.
Ne kemi të gjithë fëmijë. Fëmijë të moshës 12 vjeç të jenë në kontakt me drogën, me përdorues të drogës në shkolla, kjo është dramatike. Kjo është situata, nuk luftohet droga, duke mos qenë transparentë. Droga luftohet duke qenë transparentë e duke u bërë bashkë për ta luftuar, e jo duke e fshehur. Ne kemi rastin dje më keq se në ‘97, ku prokurori i Burrelit ndalohet nga bandat kriminale në rrugë se kishte informacion se po kultivohej drogë në fshatin Myz, ashtu siç u kap 10 ton në Vlorë, në Itali dhe këta thonë që nuk ka drogë. Shumë të rinj kanë përfunduar në këto spitale dhe shumë prindër vuajnë me fëmijët e tyre. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit dhe të gjithë qeverisë, të marrë masa, përndryshe situata po del jashtë kontrollit”, u shpreh Dogjani.
Deputeti Roland Keta kërkon hetim të plotë të rastit.
“Në repartin e urgjencës janë shtruar 5 fëmijë. Klinikisht janë mirë. Shenjat klinike kanë qenë me dhimbje koke dhe gjendje lipotimie. Sigurisht që, si mjek, them se kur ka dhembje koke dhe gjendje lipotimie janë raste që duhen vëzhguar. Janë marrë të gjitha analizat. Janë marrë analizat toksikologjike, të presim përgjigjen e analizave. E rëndësishme është që në këtë moment gjendja klinike e fëmijëve është e mirë. Sigurisht që i bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme të gjejnë shkakun nga kanë ardhur dhembja e kokës dhe gjendja e lipotimisë. Duhet një hetim i rastit”, u shpreh Keta.

Exit mobile version