Shtetasit turq së shpejti mund të përfitojnë nga udhëtimet pa viza në Evropë si pjesë e një marrëveshjeje të kohëve të fundit mes Bashkimit Evropian dhe Ankarasë, për të frenuar valën e refugjatëve. Nga ana e saj, Turqia ka premtuar t’i mbajë migrantët në territorin e saj dhe të godasë trafikantët. Brukseli do të publikojë sot raport-progresin, por siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Henry Ridgwell nga Londra, shumë ligjvënës evropianë po kërcënojnë për t’i vënë veton marrëveshjes si rezultat i shqetësimeve për të drejtat e njeriut:
Të dhënat e Bashkimit Evropian tregojnë se rreth 26 mijë migrantë arritën në ishujt grek gjatë marsit, më pask se gjysma gjatë muajit shkurt. BE thotë se, marrëveshja me Ankaranë po funksionon. Frans Timmermans është nënpresident i Komisionit Evropian:
“Po të mos bënim gjë, Greqia do të kthehej në një kamp gjigant refugjatësh të ngecur aty. Kjo është e nevojshme për t’u zgjidhur”. Turqia thotë se është në rrugën e duhur për të përmbushur kriteret e kërkuara nga Evropa, duke këmbëngulur se heqja e vizave është pjesë e panegociueshme e marrëveshjes.
Por në Gjermani, analistët thonë se frika mbi një valë azilkërkuesish kurdë nga Turqia po e nxit mbështetjen për protestat kundër imigracionit. Ndezja e konfliktit mes rebelëve kurdë dhe qeverisë turke po i rëndon këto shqetësime, por janë të gabuara, thotë Ibrahim Sirkeci me Universitetin Regents:
“Çdo qytetar kurd i Turqisë që aplikon për azil në Evropë do të refuzohet. Do të jetë refuzim i menjëhershëm dhe ka kohë që kjo metodë po përdoret”.
Ndërsa partitë e djathta mund të përfitojnë nga droja e migrantëve, disa ligjvënës në Bruksel kanë kërcënuar se do ta bllokojnë marrëveshjen me Turqinë mbi shqetësimet për të drejtat e njeriut.
Amnesty International e akuzon Ankaranë se po kthen në Siri me dhunë qindra refugjatë të paregjistruar. John Dalhuisen me Amnesty International foli për “Zërin e Amerikës”:
“Sikurse është e paligjshme për Turqinë për të kthyer mbapsht refugjatët në zonën e konfliktit nga ku po largohen, nuk është më pak e paligjshme që BE të kthejë refugjatët nga këto zona mbrapsht tek vendi që po i dërgon ata”.
Por nuk janë vetëm të drejat e refugjatëve në qendër të vëmendjes. Kritikët thonë se të drejat themelore po shkelen.
Prokurorët kanë hapur mbi 1 mijë çështje kundër njerëzve për fyerje ndaj Presidentit Recep Tayyip Edogan që nga 2014. Fituesi i Çmimit Nobel, Orhan Pamuk foli të martën:
“Kjo është vetëm për t’i mbyllur gojën opozitës. Është për të frikësuar njerëzit dhe mbjellë frikë në vend që asnjë qytetar të mos e kritikojë qeverinë”.
Profesori Ibrahim Sirkeci thotë se veprimet e Evropës bien ndesh me parimet e Brukselit:
“Braktiset një popullatë e madhe që ka nevojë për mbrojtje humanitare. Dhe u thuhet, në vend që të ju ndihmojmë ju, po ju lëmë të rrini ku jeni dhe po e paguajmë Turqinë 6 miliardë euro për mbajtur kufijtë të mbyllur. Kjo është ajo që po humbet Evropa”.
Edhe pse Evropa po përpiqet të mbyllë një rrugë, një tjetër po zgjerohet me shpejtësi. Dhjetëra mijëra migrantë kanë kaluar nga Libia për në Itali gjatë javëve të fundit, ndërsa priten më shumë me ardhjen e verës dhe detërave më të qetë.