Trajneri i Interit Roberto Mançini akuzohet për mashtrim financiar. Sipas gazetës italiane “La Gazzeta dello Sport”, prokurori i Romës Stefano Roko, ka kërkuar dënimin e tij me tre vite e gjysmë burg lidhur me kolapsin financiar të shoqërisë “IMG Costruzioni”. Ndërsa “sportmediaset” thotë se Mançini akuzohet në skemën e mashtrimit me një shumë prej 1 milion e 800 mijë euro.
Trajneri i Interit bashkë me një biznesmen tjetër nuk janë të përfshirë në mënyrë direkte me aksione në këtë skemë, por nëpërmjet kompanisë “Mastro” në të cilën ata janë ortakë. Mediat italiane thonë se transaksionet e rreme janë kryer për gjatë viteve 2006-2009.
Ndërkohë, në kampin interist kanë filluar të mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm. Interi i sezonit të ardhshëm do të rinisë gjithçka nga Mauro Icardi. Gjatë muajve të fundit është folur shumë për një largim të bomberit argjentinas nga skuadra zikaltër, por kapitenit sa herë që i jepet rasti nuk nguron të theksojë se ajo mes tij dhe Interit është një dashuri që do të zgjasë edhe për shumë vite.
“Kam një kontratë deri në vitin 2019 dhe do të qëndroj këtu absolutisht. Unë si Zanetti? Duhen edhe shumë vite t’i marrim gjërat avash, avash. Unë jam i lumtur që jam pjesë e Interit dhe që po mbaj në krah shiritin e Javier Zanettit. Nëse do të qëndroj për shumë vite siç ka bërë ai do të jem akoma edhe më i lumtur”, u shpreh Icardi.
Jo vetëm, Icardi pasi nga Interi nuk do të largohet as trajneri Roberto Mançini është i bindur për këtë sulmuesi 23-vjeçar.
“Mançini ka edhe një vit kontratë dhe mendoj se do të qëndrojë edhe pse për këto gjëra do të flitet në korrik. Unë kam bindjen se do të vazhdojë projektin e nisur, sepse këtu Mançini ka ndërtuar një grup shumë të bukur”, tha ai.
Edhe pse e nisi mirë sezonin, Interi dështoi për të arritur objektivin Champions. Vendi i 4-t nuk e demoralizon gjithsesi Icardin, por kapiteni shpreson që ky të jetë viti i fundit që Interi të mos marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
“Blinduam vendin e 4-t në ndeshjen e fundit që zhvilluam në “San Siro” dhe për këtë jemi të gjithë të kënaqur. Gjithsesi duhet të punojmë për t’u rikthyer në Champions League, sepse ky kompeticion është në ADN-në e Interit”, tha më tej Icardi.
Por nëse Icardi është i bindur për qëndrimin e tij te zikaltërit, nga Interi mund të largohen shumë lojtarë të tjerë. Të pakënaqurit janë Handanoviç e Jovetiç, ndërsa pritet të japin lamtumirën skuadrës edhe emra të tillë si Felipe Melo, Santon e Juan Jesus.