Nga Namir Lapardhaja
Një ndër shqetësimet e politikës së sotme, është rezultatet pozitive që kanë në elektorat partitë dhe liderët populist.
Përpara se të jetë shqiptar, ky është një shqetësim mbarëbotëror.
Të lodhur dhe të zhgënjyer nga partitë tradicionale, evropianët e kanë më të lehtë për të eksperimentuar, të zgjedhin lider që kanë premtime të mëdha dhe të paprovuar më parë.
Në librin e tij “Ç’është populizmi?” historiani dhe filozofi gjerman Jan-Werner Müller shpjegon arsyen e joshjes nga populizmi, duke vënë theksin tek “premtimet e papërmbushura të demokracisë”, të cilat, në shoqërinë tonë, siç shprehet ai, “thjesht nuk mund të përmbushen”.
Të gjithë populistët në ligjërimin e tyre kanë udhëheqjen e popullit.
Mirëpo, a nënkupton demokracia pikërisht të njëjtën gjë me “udhëheqje populli” siç pretendojnë populistët?
Sipas Müller-it, dallimet më të mëdha mes demokracisë dhe populizmit janë sepse e para i jep mundësi shumicës t’i autorizojë përfaqësuesit, veprimet e të cilëve mund të mos përputhen me atë që prisnin ose do të dëshironin shumica e qytetarëve, ndërsa populizmi pretendon se asnjë veprim i qeverisë populiste nuk mund të vihet në dyshim, sepse “populli” kështu e ka përcaktuar.
Nga ana tjetër, demokracia mund t’i pranojë gjykimet e gabuara dhe të kontestuara, duke ndryshuar herë pas here shumicat, gjë që nuk ndodh me populizmin, i cili i imagjinon një etnitet homogjen jashtë të gjitha institucioneve identiteti dhe idetë e të cilit mund të përfaqësohen plotësisht.
Gjithashtu, për demokracinë “populli” mund të shfaqet vetëm në trajtë institucionale dhe në veçanti pranon se një shumicë në Parlament nuk është “populli” dhe nuk mund të flasë në emër të tij, ndërsa populizmi presupozon të kundërtën: është “populli” ai që është mbi gjithçka.
Thelbi i populizmit është se “vetëm një pjesë e popullit është me të vërtetë popullit”, sepse ata besojnë thellësisht në pikëpamjen “për miqtë e mi, gjithçka; për armiqtë e mi, ligji”.
Duke qenë apolitikë, populistët nuk mund të gjenerojnë politika të rregullta dhe të vërteta, sepse populizmi nuk është gjë tjetër vetëm se një shtrembërim i proceseve demokratike.
Karakteristikë tjetër e populistëve është se ata e duan përjetësisht postin dhe pushtetin. Dhe për çdo kënd që e do një gjë të tillë, ekziston mundësia që ligjet dhe rregullat të shërbejnë vetëm si fasadë, sepse pas saj dihet se çfarë mund të ndodhë.
Në dallim nga populistët evropianë, edhe pse kanë të ngjashme një pjesë të retorikës së tyre, shqetësuese ngelet në politikën shqiptare se si politikanë thellësisht populist, aspak të arsyeshëm, racional dhe politik, thellësisht tribal dhe me lidhje me botën e nëndheshme, si Rama dhe Berisha, vijojnë të kenë mbështetje në elektoral, edhe pse më shumë se sa premtime tek bilanci i tyre rëndojnë male me gënjeshtra dhe mashtrime.
Për të mos folur për shfaqjet e reja populiste, në karrieristë të vegjël me ambicie të mëdha, sepse e sigurt është që ata nuk kanë kurrfarë të ardhmeje dhe peshe elektorale.