Rreziku i vërtetë

Fatmir Mediu

Shkrimet kundër 6 senatorëve që i dërguan letër për situatën e rëndë të krimit e korrupsionit në Shqipëri janë në të njëjtën rrugë të deklaratave që vetë Rama bëri kundër Presidentit Trump, janë kundër Amerikës dhe atyre njerëzve që e mbështetën Shqipërinë për t’u bërë vend anëtar i NATO-s.
Kjo politikë e Ramës po kthehet në një rrezik serioz për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA.
Nëpërmjet manipulimit të një rezolute të dy përfaqësuesve të Dhomës së Përfaqësuesve që nuk është futur as në procedurë, ku përmenden problemet me Rusinë në shumë vende evropiane dhe në fund Shqipëria, përmendet në mes 20 vendesh që kanë zgjedhje dhe se Rusia mund të influencojë ato. Këtë projektrezolutë Rama e kthen në rezolutë të 11 senatorëve vetëm për të manipuluar opinionin publik.
A ka rrezik rus në Ballkan? Padyshim po. Po ky rrezik rus është sot prezent dhe i lidhur me miqtë e ngushtë të Ramës, siç është Vuçiç apo kalon në një spirale të rrezikshme gjeopolitike nga Veriu dhe Lindja e Ballkanit?
Rusia kërkon aleanca politike dhe ushtarake në Ballkan dhe ky është një kërcënim për shqiptarët. Rusia është prezent ushtarakisht në Ballkan, ajo është prezent ekonomikisht dhe politikisht. Ka kohë që kërkon të ndërtojë një aleancë ushtarake me Serbinë, Bosnjën dhe Maqedoninë. Situata e rëndë në Maqedoni në ndarje të thella etnike është në dëm të interesave shqiptare kjo dhe për shkak të egocentrizmit të Ramës për protagonizëm pushteti. Rrëshqitja e Maqedonisë në marrëdhënie të ngushta me Rusinë do ta ndërlikonte jo vetëm situatën e shqiptarëve në Maqedoni, por në mbarë Ballkanin.
Në favor të Rusisë është edhe loja e Ramës për t’u futur ndërmjet marrëdhënieve serbo-kosovare duke injoruar autoritetin e drejtuesve të Kosovës. Kosova në ndërtimin e institucioneve të saj qoftë edhe të Ushtrisë kosovare duhet të jetë mirë e koordinuar me SHBA dhe NATO. Ruajtja e integritetit territorial të Kosovës nuk do të ndërvaret as nga ushtria e saj, as nga ushtria shqiptare, por nga marrëdhënia dhe roli në kuadër të NATO-s.
Deklaratat se Rama do të marrë pushkën për të mbrojtur Kosovën janë një patriotizëm folklorik.
Po ashtu forca e Rusisë në Ballkan është rritur ndjeshëm edhe për shkak të bashkëpunimit ushtarak dhe politik me Turqinë, si asnjëherë më parë, gjë e cila të paktën për momentin është në disfavor të shqiptarëve.
Dobësimit të pozicionit shqiptar, po ashtu i shërben dhe injorimi që Rama i ka bërë NATO-s jo vetëm duke e ulur buxhetin e mbrojtjes në 0,75%, duke iu kundërvënë vendimeve të Aleancës, por dhe duke mos reflektuar tashmë një kusht detyrues për marrëdhëniet në NATO me SHBA, theksuar kjo nga Presidenti Trump dhe së fundmi nga sekretari Tillerson.
Z. Rama dhe zëdhënës të Ramës.
Mike Lee, James Inhofe, Ted Cruz, David Perdue, Thorn Tills, Bill Cassidy janë miq dhe mbështetës të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk pranojnë, siç thotë Departamenti i Shtetit dhe Europol që një vend anëtar i NATO-s të jetë prodhuesi i parë i marijuanës, i korrupsionit dhe i krimit, por të jetë vend ku shqiptarët votojnë të lirë dhe së shpejti të bëhen vend i BE.
Nëse ka ndikim rus në Shqipëri është kjo politikë që është sot dhe padyshim krimi, korrupsioni dhe trafiqet‎.

Artikulli paraprakKlosi organizoi vrasjen e Ahmet Krasniqit
Artikulli tjetërFaqja e pare