Rreziku i negociatave, kush do të jetë timonieri?

Maqedonia është dy hapa para Shqipërisë. Ajo nesër merr dokumentin e Brukselit për të nisur bisedimet për anëtarësim në BE. Serbia dhe Mali i Zi janë të paktën një hap përpara Shqipërisë. Si Serbia ashtu edhe Maqedonia kanë nisur negociatat për anëtarësim dhe të 28 vendet e BE e kanë miratuar këtë fazë të rëndësishme të procesit. Të fundit në rajonin e Ballkanit që ecin me hapin e milingonës drejt BE-së janë shqiptarët në të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë.
Shqipëria ka marrë për të tretën herë propozimin për të nisur negociatat nga Komisioni Europian, por nuk ka asnjë siguri nëse hapja e propozuar nga Komisioni Europian do të miratohet nga 28 vendet. Komisionerija me Jashtë e BE, Mogerini nuk doli garante për Shqipërinë tek vendet e BE në lidhje me luftën ndaj krimit të organizuar. “Nuk është puna e jona”, tha Mogerini.
Pyetja e gazetares së Financial Times drejtuar Mogerinit nëse do të mund të bindë Gjermaninë dhe Francën për luftën e krimit të organizuar në Shqipëri, tregon se në BE nuk ka unitet në vendet anëtare për të hapur negociatat. Gjermania dhe Franca janë dy vendet kryesore të drejtimit të Bashkimit Europian që duket edhe pse nuk kanë folur ende për negociatat ata nuk do ta lejojnë lehtësisht kalimin e Shqipërisë në këtë provim.
Heshtja e Mogerinit ndaj një pyetje thelbësore që lidhet me luftën e krimit të organizuar në Shqipëri flet shumë më tepër se optimizmi i kotë i Ramës në konferencën për shtyp me Vlahutin.
Si duhet përkthyer kjo heshtje dhe refuzim i Mogerinit për të dalë garante për luftën e krimit të organizuar të qeverisë Rama tek vendet e BE?

Përkthimi politik është se Ramës i është vendosur një afat për të përmbushur një nga pjesët kryesore në raport-progresin e BE që lidhet për vendosjen para drejtëisë të krerëve të krimit të organizuar dhe të zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive. Ky afat ka dy data. Data e parë është Qershori. Në rast se deri në Qershor nuk arrestohen krerët e bandave kriminale si dhe Tahiri i kërkuar me ngulm dhe publikisht nga Gjermania, atëhere shanset për të miratuar hapjen e negociatave me vendet e BE do të zbehen.
Afati tjetër është Dhjetori. Nëse edhe deri në Dhjetor, Rama nuk do të lëshojë Tahirin dhe bandën e tij, atëhere mundësitë për hapje të negociatave me miratimin e 28 vendeve të BE do të jenë shum të vogla.
Mënyra se si Rama e interpretoi dje vendimin e tretë rradhazi të Komisionit Europian për hapjen e negociatave është rreziku që hapja e tyre të mos ndodhë. Ai po përpiqet ta kapitalizojë politikisht procesin e hapjes së negociatave duke e përkthyer si një inkurajim për krimin e organizuar, mafian dhe oligarkët në qeveri që të vijojnë të qeverisin ashtu sikurse kanë bërë gjatë këtyre viteve kur vendi u shndërrua në Kolumbinë e Europës.
Rama po tremb vendet anëtare të BE duke u dhënë atyre mesazhin se timonieri i vërtetë i procesit të negociatave do të jetë kreu i kartelit të habilajve, ish-ministri i Brendshëm, Tahiri, peng i të cilit është kreu i qeverisë. Ky është edhe rreziku i negociatave. Asnjë vend në BE nuk do të jetë i gatshëm të votojë hapjen e negociatave me një timonier si Tahiri dhe vendi do të vuajë pengmarrjen e një kaste krimi në qeveri duke mbetur jashtë Bashkimit Europian për një kohë të pacaktuar.
“RD”

Exit mobile version