Rreziku nga COVID-19: Kosova mbyll dyert për Gjermaninë, Italinë, Francën…

Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit duket se ka i shtyrë institucionet e Kosovës që të marrin masa parandaluese. Një nga këto masa është edhe ndalimi ardhjes së shteteve të huaj pa e poseduar një test PCR-Negativ.

Tash e tutje, as shtetasit e Gjermanisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë pa e poseduar një test PCR-Negativ.

Pas rritjes së rasteve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit, edhe ky shtet i është bashkuar listës së shteteve me rrezik të lartë infektimit.

Përveç Gjermanisë, kësaj liste i janë shtuar edhe tri shtete tjera, duke bërë kështu që numri i vendeve me rrezik të lartë të infektimit të shkojë në 24.

Bazuar në përditësimet e fundit, shtetet të cilat i konsideron Kosova me rrezik të lartë të infektimit, janë: Franca, Spanja, Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Çekia, Polonia, Rumania, Portugalia, Austria, Hungaria, Irlanda, Sllovakia, Danimarka, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda, Qiproja dhe Lihtenshtajni.

Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.

Ndërkohë, shtetet, banorët e së cilave lejohen të hyjnë në vend pa e poseduar një test të tillë janë: Suedia, Greqia, Norvegjia, Finlanda, Latvia dhe Estonia.

E për mënyrën se si vendoset që një shtet ka rrezik të lartë të infektimit, ka dhënë detaje Ministria e Shëndetësisë.

Ky institucion ka deklaruar se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web-faqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.

“Lista është e publikuar në web-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, ka deklaruar Ministria.

Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftua se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar 42 të vdekur nga koronavirusi.

Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i viktimave të sëmundjes së re në ekonominë më të fuqishme evropiane shkoi në 10.098.

Përpos rasteve fatale, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 11.409 infektime të reja dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 449.275.

Ndryshe, qeveria gjermane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.

Ndonëse është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, Gjermania ka regjistruar shumë më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja.

Në Kosovë u konfirmuan të hënën edhe 205 raste të reja me koronavirus dhe tri viktima.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, rastet e reja rezultuan nga testimi i 943 mostrave, ndërsa viktimat u shënuan në Pejë, Prizren dhe Gjakovë.

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se në 24 orët e fundit, 62 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.

Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 18,148, i viktimave në 666 dhe i të shëruarve në 15,150.

Raste aktive, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë 2,332.

Exit mobile version