Rreziku nga deflacioni, tjetër ulje historike e normës së interesit

“Niveli i inflacionit në fund të vitit 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, një ulje kjo kundrejt parashikimit prej 2.3% të Raportit tonë Tremujor paraardhës”
Norma e interesit është ulur sërish dje me 0.25 pikë përqindje, duke prekur nivelin historik prej 1.25%. Kjo ishte hera e 16-të që radhazi që Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ul normën e interesit, që nga shtatori 2011, kur filloi një politikë agresive të lehtësimit monetar. Sejko tha se ky vendim synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit. Pavarësisht inflacionit që rezultoi 0.3% në muajin mars, Sejko u shpreh optimist për një përmirësim të situatës.
“Niveli i inflacionit në fund të vitit 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, një ulje kjo kundrejt parashikimit prej 2.3% të Raportit tonë Tremujor paraardhës”, deklaroi Sejko, i cili foli edhe për një situatë të ‘zymtë’ të ekonomisë. Banka e Shqipërisë u detyrua të ulë sërish normën bazë të interesit për shkak të ecurisë negative të ekonomisë dhe përkeqësimit të ndjesisë së biznesit dhe individëve. Në mbledhjen e radhës, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që norma të ulet dhe me 0.25 pikë përqindje të tjera duke zbritur në minimumin e ri historik 1.25 për qind.
“Informacioni i ri ekonomik dhe monetar i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në kahun e poshtëm të pritjeve tona,” deklaroi Guvernatori Gent Sejko duke shpjeguar arsyet e vendimi për uljen e normës. Ekonomia shqiptare u ngadalësua në tremujorin e katërt teksa rritja e prodhimit zbriti në 2.15 për qind me bazë vjetore, ndërsa inflacioni i tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi një rënie të fortë dhe të papritur për Bankën.
Kjo është hera e dytë brenda muajit që Banka e Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit, një tregues i cili dëshmon se ekonomia nuk po ecën sipas pritshmërive që kishte Banka. Sejko tha se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Por paralajmëroi se rreziqet për ekonominë janë shtuar.
“Në një horizont afatmesëm, ne presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari,” u shpreh ai.
Banka ka ulur vlerësimin zyrtar për rritjen ekonomike të këtij viti, por nuk dha detaje mbi masën e rishikimit. “Rritja ekonomike e këtij viti pritet të jetë disi më e lartë se norma prej 2.6% e regjistruar në vitin 2015, por disi më e ulët në krahasim me vlerësimet tona paraardhëse,” tha Sejko. Sipas tij, shkaku kryesor i dobësimit të ekonomisë është përkeqësimi i ambientit të jashtëm. “Në veçanti, ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar – si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij – ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme,” u shpreh guvernatori.
Banka shpreson se nëpërmjet uljes në seri të normës bazë të mbështesë rritjen ekonomike të vendit. Por i kujtoi qeverisë se e vetme, norma bazë nuk mund të garantojë rritjen ekonomike.
“Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se politika monetare lehtësuese është një parakusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për gjenerimin e një rritjeje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave strukturore në ekonomi, si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e primeve – aktuale apo të perceptuara – të rrezikut në ekonomi,” përfundoi Sejko.

Exit mobile version