Rreziku nga flluska e ndërtimeve

Ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 4.06% në tremujorin e dytë të vitit, sipas të dhënave të publikuar nga INSTAT, e nxitur nga ndërtimi, teksa Tirana duket se është kthyer tashmë në një kantier, por e nxitur edhe nga punimet për TAP, rrugë, stadiume etj. Ndërtimi u rrit me gati 23% me bazë vjetore në tremujorin e dytë.
Sipas INSTAT, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, industria, energjia dhe uji me +0,69 pikë përqindje, tregti hotele dhe restorante dhe transporti me +0,52 pikë përqindje, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me +0,43 pikë përqindje, aktivitete financiare dhe të sigurimit me +0,27 pikë përqindje, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me +0,16 pikë përqindje, informacioni dhe komunikacioni me +0,05 pikë përqindje, pasuritë e paluajtshme me +0,05 pikë përqindje. Negativisht kanë kontribuar aktivitetet shërbime të tjera me -0,11 pikë përqindje dhe aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me -0,13 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,29 pikë përqindje.
Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit pati një rritje me 0,13%. Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati rritje me 6,05%. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë industria nxjerrëse, e cila ka ndryshuar trendin duke shënuar rritje me 16,93% dhe industria përpunuese, e cila pati rritje me 6,30%, ndërsa grupi energji elektrike pati rënie me 2,21%. Aktiviteti i ndërtimit pati rritje me 22,68%, influencuar kryesisht nga investimet private të lidhura me TAP, si dhe nga kompanitë që bëjnë vepra publike si rrugë, stadiume etj. Grupi i aktiviteteve tregti, hotele, restorante dhe transport pati një rritje prej 3,54%, i ndikuar kryesisht nga tregtia me shumicë dhe transporti tokësor dhe ujor. Grupi i aktiviteteve informacioni dhe komunikacioni u shfaq me rritje prej 2,04%. Aktiviteti financiar dhe i sigurimit ka shënuar një rritje prej 10,60%. Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje prej 0,93%. Grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 2,31% i ndikuar kryesisht nga rënia në aktivitetin e call center. Grupi i aktiviteteve të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë pati rritje me 4,27%, i ndikuar kryesisht nga shëndetësia, ndërkohë që arsimi shfaqet me rënie të lehtë. Grupi i aktiviteteve shërbime të tjera si arte dhe argëtim, aktivitete të tjera shërbimi, aktivitete të familjes, aktivitete të familjes për përdorim të vet, aktivitete të organizatave ndërkombëtare, pati rënie me 4,57%. Taksat neto mbi produktet patën rritje me 2,20%, përfundon raporti i INSTAT.

Sa e qëndrueshme është rritja nga ndërtimi (koment i Monitor)

Debatet për nxitjen e ekonomisë nga ndërtimi lidhen me faktin se sa e qëndrueshme është kjo rritje në afatin e gjatë dhe çfarë vlere të shtuar i jep ajo ekonomisë. Tremujori i dytë dha sinjalin se projektet e mëdha si TAP dhe Devolli janë afatshkurtër. Në 6 muajt e parë të vitit, Investimet e Huaja Direkte arritën në 380 milionë euro, me një rënie prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe mbi 20% në raport me 6-mujorin e dytë të 2016-s. Rënia e Investimeve të Huaja ishte e pritshme, për shkak se në pjesën më të madhe ajo ishte e nxitur nga punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-in e Devollit. Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019. Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Në Tiranë ka filluar një valë ndërtimesh, kryesisht për apartamente banimi, kulla e qendra tregtare. Por, ndërsa në afatin e shkurtër këto ndërtime rrisin qarkullimin e parasë në ekonomi dhe hapin vende të reja pune, në afatin e gjatë ato mund të kthehen në një flluskë të mbiofertës dhe fuqisë së dobët blerëse.
Në fakt do të ishte rritja që vjen nga industria përpunuese apo sektorë të tjerë me vlerë të shtuar, që do të ishte e qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Exit mobile version