Rreziku nga sherret me thika, mjekët: Pse është ndër traumat më të vështira, shpesh çon edhe në humbje jete

Dëmtimet me thikë, kryesisht nga sherret mes adoleshtëve, konsiderohen ndër traumat më komplekse dhe të vështira për mjekët.

Këto raste trajtohen nga spitali i Traumës dhe menaxhimi i pacientit të dëmtuar me thikë është sfidë për stafin mjekësor, pasi mjeti prerës mund të dëmtojë disa organe njëherësh.

Shëfi i shërbimit të kirurgjisë së enëve të gjakut, Arben Zenelaj, tregon për A2 se jo pak raste që shkojnë drejt Traumës përfundojnë me vdekje.

Dëmtimi i enëve të gjakut nga prerjet me thikë shkaktojnë hemoragji, duke bërë që pacienti të humbë jetën rrugës apo në spital. Kirugu Zenelaj i cili gjatë punës së tij në spitalin e Traumës përballet vazhdimisht me adoleshentë të plagosur me thikë, ju bën thirrje atyre të distancohen nga këto sulme që ju marrin jetën.

Ndërsa prindërve, institucioneve shteterore, përfshi edhe mjekët, ju bën apel të rrisin konktrollin dhe kujdesin ndaj adoleshentëve. Një muaj më parë nga sherri me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë,  humbi jetën nxënësi 14- vjeçar Martin Cani, i cili u vra nga bashkëmoshatari i tij i klasës paralele.

Ndërsa një javë më parë brenda oborrit të shkollës “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit u qëllua me thikë një 17-vjeçar, i cili për fat të mirë i shpëtoi vdekjes.

Të tronditur nga ngjarjet prindërit janë ngritur në protesta për të kërkuar siguri për jetën e fëmijëve në shkolla.

Exit mobile version