Rreziku që i kanoset kombit prej autokratëve pas rënies së diktaturës, sipas autorit të Rilindjes!

Nga Aranit Muraçi

Shkrimtari i Rilindjes, Niccolò Machiavelli, i cili jetoi nga viti 1469 deri në 1527, shkroi një libër të titulluar “Princi”, në të cilin ai shpjegonte karakterin e sundimtarëve – autoritarëve ose diktatorëve- si dhe të gjithë atyre që aspirojnë të sundojnë të vetëm duke përdorur forcën dhe mashtrimin për të fituar dhe mbajtur pushtetin me çdo mjet.

Në artikujt e shekullit të 16-të ai u bënte thirrje qytetarëve dhe politikanëve të cilët e donin shtetin dhe demokracinë që të kuptonin në kohë e të ishin vigjilentë ndaj kërcënimeve që vinin prej tiranisë.
Këshillat e Makiavelit mund të kenë qenë po aq të vlefshme në rrëzimin e komunizmit dhe janë për demokracinë tonë po aq të rëndësishme tani sa edhe atëherë. E madje përderisa i kanë rezistuar kohës, do të mbeten të vlefshme në çdo kohë.

Roma ishte dikur mbretëri, por kur mbretërit e mëvonshëm u bënë tiranë, populli romak përmbysi monarkinë dhe themeloi republikën, e cila pati një histori të lavdishme dhe zgjati gati 500 vjet.
Republika romake u shemb në vitin 44 pes kur Jul Cezari u shpalli diktator dhe e lidhi përjetësisht veten me pushtetin. Pasardhësi i tij, Julius Octavius, i cili mori emrin Cezar Augusti, sundoi si i pari i një liste të gjatë të perandorëve romakë për gati 1 mijë vjet.

Machiavelli solli historinë e gjatë të qeverive republikane vendet e të cilave ranë viktimë e individëve ambiciozë të cilët u përpoqën të përmbysnin praktikat dhe institucionet e kombeve të tyre në mënyrë që ata të mund të sundonin të vetëm e “të lirë” në kurriz të lirive dhe të drejtave të popullit e të gëzonin pushtet të pakontrolluar, pushtet që do ta ndanin me të gjithë të tjerët që shërbenin sipas urdhrit dhe autoritetit të tyre.

Si shembull ishte qytet-shteti i Firences në atë që sot është Italia. Firence kishte një traditë republikane për shekuj, por rreth 30 vjet para lindjes së Makiavelit, bankieri dhe politikani Cosimo de Medici përmbysi sistemin demokratik. Cosimo përdori pasurinë e familjes së tij për të shkuar drejt pushtetit politik duke korruptuar zyrtarët, në mënyrë që ai të bëhej vendim-marrësi i vetëm.

Pasardhësit e Cosimo trashëguan fuqinë e tij politike. Ata e humbën për pak kohë kontrollin e tyre në pushtet. Ishte koha kur Makiaveli u angazhua për rreth një dekadë si zyrtar dhe diplomat në një republikë. Makiaveli ishte në detyrë kur republika të cilën ai përfaqësonte u shemb me kthimin e familjes Medici në pushtet, dhe pas kësaj ai shkroi “Princin”.

Mësimi kryesor i analizës së historisë romake të Makiavelit është ky: Republika është e brishtë. Sot republika dhe demokracia janë të tilla. Për vende si Shqipëria, ndoshta bashkë me to edhe identiteti kombëtar. Demokracia sot kërkon vigjilencë të vazhdueshme si nga qytetarët ashtu edhe nga drejtuesit politikë.
Megjithatë, kjo vigjilencë është e vështirë për t’u ruajtur, sepse me kalimin e brezave, zyrtarët dhe politikanët bëhen të vetëkënaqur dhe shpërfillës ndaj çdo kërcënimi të brendshëm aq sa nuk arrijnë dot të kuptojnë në kohë planet anti-republikane dhe anti-demokratike të qytetarëve jashtëzakonisht ambiciozë mes tyre, të cilët ushqejnë dëshirën për të sunduar. Me të ardhur në pushtet ata kthehen në tiranë siç ka ndodhur rëndom edhe në Tiranë, dhe për t’i ndalur, pas kësaj ka qenë gjithmonë vonë.

Makiaveli jep shembuj se si Roma dështoi të mbronte praktikat dhe ligjet e saj republikane kundër një kërcënimi të tillë. Kur republika ishte e re, Roma lejonte pa filtra kandidatët të emëroheshin për poste të larta. Kjo praktikë funksionoi mirë, për aq kohë sa u paraqitën kandidatë të denjë. Më vonë, praktika e vetë-emërimit çonte në detyrë abuzivisht ata që donin të promovonin popullaritetin e tyre, kryesisht përmes mashtrimit dhe lidhjeve nepotike, në vend që t’u përgjigjeshin aftësive dhe nevojave të vendit të tyre.

Makiaveli thotë se udhëheqësit dhe qytetarët që ishin pro republikës duhet t’a kishin mbyllur sa më parë rrugën drejt pushtetit për të tillë kandidatë. Por Roma nuk veproi duke i lënë të lirë të gëzonin pushtet njerëz që nuk meritonin të ishin përfaqësues të popullit. U krijua një sistem ku gjithçka vërtitej rreth Çezarit. Më të pa-aftët kur u ngjitën në poste të larta mendonin se edhe dielli lind dhe perëndon nga vetë vullneti i Çezarit. Dhe me vdekjen e tij, sigurisht ata ishin aq ‘të dehur dhe të hutuar’ nga pushteti saqë të nesërmen besonin se dielli nuk do të lindte përsëri.

Për shkak të vetë-kënaqësisë së tij, Cezari nga karizma që kishte krijuar ishte në gjendje të përvetësonte pushtet mjaftueshëm, ndoshta falë edhe asaj që kishin grumbulluar paraardhësit e tij, që ta shndërronte më vonë Romën në një tirani.

Nëse qytetarët dhe politikanët të cilët duan të respektojnë parimet demokratike nuk arrijnë të jenë vigjilentë, ata përfundimisht do të përballen me një udhëheqës, të cilin pushteti e ndihmon të grumbullojë shumë ndjekës aq sa e bën atë jashtëzakonisht të fuqishëm e kërcënues për këdo që i cënon një të tillë. Në këtë pikë, thotë Makiaveli, do të jetë tepër vonë për të shpëtuar republikën. Pra, mjafton të shohim sot se çfarë ka ndodhur me udhëheqësit më jetëgjatë në Shqipëri; ose me demokracinë dhe republikën parlamentare pas rënies së komunizmin.

Makiaveli sjell shembujt e vrasjes së Cezarit në Romë dhe mërgimit të Cosimo nga Firence për ti dhënë botës një mësim, teksa mbështetësit e dy republikave përkatëse, duke e perceptuar më në fund rrezikun e tiranisë, nisën një sulm ndaj populistëve ose autokratëve. Në të dyja rastet, përpjekja nuk çoi në rivendosjen e republikës dhe rikthimin e lirisë, por më tepër në eliminimin e tyre.

Në Romë, Augusti përdori simpatinë dhe adhurimin e publikut ndaj martirizimit të Cezarit për të vulosur vdekjen e republikës. Në Firence, Cosimo u mirëprit nga mërgimi për t’u shndërruar në një tiran me nam. Kështu i bënë llogaritë ata që ishin kundër tiranëve. A nuk ngjan sikur është përdorur Enver Hoxha ose rënia e komunizmit gati njësoj për të vrarë demokracinë e brishtë edhe në vendin tonë?

Për aq kohë sa “zaptuesit” e së djathtës do ta mbajnë peng gjysmëfushën e tyre dhe do të refuzojnë të pranojnë se republika dhe demokracia nuk janë pronë e askujt dhe nuk kanë as aksione për të shitur në treg, por janë thjesht qytetarë me të njëjtat të drejta si të gjithë të tjerët, aq edhe Makiaveli do të shihte njësoj fundin e tyre; fatkeqësisht edhe të demokracisë, për t’i hapur rrugë trashëgimisë politike, përmes çdo lloj tjetër qeverisjeje./Liberale.al

Exit mobile version