Rrëzimi i avionit në Korenë e Jugut, policia zgjeron hetimet! CEO i “Jeju Air” ndalohet të largohet nga vendi, autoritetet bastisin zyrat e kompanisë

Policia e Koresë së Jugut ka intensifikuar hetimet për rrëzimin tragjik të avionit Boeing 737-800, i cili shkaktoi humbjen e 179 jetëve.

 

Zyrat e kompanisë ajrore Jeju Air dhe ato të Aeroportit Ndërkombëtar Muan janë bastisur nga autoritetet për të mbledhur prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e shkakut të ngjarjes.

Avioni, që transportonte 181 pasagjerë dhe ekuipazh nga Tajlanda drejt Koresë së Jugut, lëshoi një sinjal emergjence dhe tentoi një ulje me bark.

Megjithatë, përfundoi duke u përplasur me një mur betoni në fund të pistës dhe vetëm dy stjuardesa arritën të mbijetojnë, ndërsa 179 persona humbën jetën.

Policia gjithashtu ka ndaluar CEO-n e Jeju Air, Kim E-Bae, të largohet nga vendi, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje.

“Policia synon të përcaktojë shpejt shkakun dhe përgjegjësitë e aksidentit, në përputhje me ligjin dhe autoritetet,” thuhet në një njoftim të dhënë për AFP.

Kërkimet vazhdojnë në vendin e rrëzimit në aeroportin Muan, ku janë angazhuar ushtarë, policë dhe hetues të specializuar.

Autoritetet po përqendrohen në analizimin e rrethanave që çuan në këtë tragjedi, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Artikulli paraprak“Dua ta mposht nesër djalin”, Konseisao kërkon të debutojë me fitore në pankinën e Milanit: Nuk ka justifikime ndaj Juventusit
Artikulli tjetërApple ofron zbritje për iPhone në Kinë pas intensifikimit të konkurrencës