Rrëzimi i avionit në Korenë e Jugut, policia zgjeron hetimet! CEO i “Jeju Air” ndalohet të largohet nga vendi, autoritetet bastisin zyrat e kompanisë

Policia e Koresë së Jugut ka intensifikuar hetimet për rrëzimin tragjik të avionit Boeing 737-800, i cili shkaktoi humbjen e 179 jetëve.

 

Zyrat e kompanisë ajrore Jeju Air dhe ato të Aeroportit Ndërkombëtar Muan janë bastisur nga autoritetet për të mbledhur prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e shkakut të ngjarjes.

Avioni, që transportonte 181 pasagjerë dhe ekuipazh nga Tajlanda drejt Koresë së Jugut, lëshoi një sinjal emergjence dhe tentoi një ulje me bark.

Megjithatë, përfundoi duke u përplasur me një mur betoni në fund të pistës dhe vetëm dy stjuardesa arritën të mbijetojnë, ndërsa 179 persona humbën jetën.

Policia gjithashtu ka ndaluar CEO-n e Jeju Air, Kim E-Bae, të largohet nga vendi, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje.

“Policia synon të përcaktojë shpejt shkakun dhe përgjegjësitë e aksidentit, në përputhje me ligjin dhe autoritetet,” thuhet në një njoftim të dhënë për AFP.

Kërkimet vazhdojnë në vendin e rrëzimit në aeroportin Muan, ku janë angazhuar ushtarë, policë dhe hetues të specializuar.

Autoritetet po përqendrohen në analizimin e rrethanave që çuan në këtë tragjedi, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Exit mobile version