Pak më shumë se dy muaj nga rrëzimi i helikopterit të forcave ajrore në liqenin e Shkodrës, të tjera detaje dalin në dritë nga hetimet. Ndërsa fjalën e fundit për shkaqet e rënies së helikopterit pak pas mesditës së 6 prillit pritet ta thonë autoritetet gjermane ku u dërguan kartat e memories së kamerës së brendshme të helikopterit, Prokuroria vijon hetimin për të gjitha rrethanat që çuan në aksidentin tragjik ku humbën jetën pilotët Florian Delia dhe Donald Hoxha.
Prokuroria e Shkodrës dyshon se dy pilotët e ndjerë nuk kishin eksperiencën e duhur për të drejtuar një helikopter të llojit EC145, të cilët ishin blerë nga Ministria e Mbrojtjes vetëm pak kohë më parë. Tre helikopterët i janë shtuar flotës sonë ajrore të ushtrisë pasi janë blerë nga e njëjta kompani ku janë blerë dhe helikopterët Cougar. Por, blerja e helikopterëve të llojit EC145 nuk është shoqëruar dhe me një kontratë si ajo për helikopterët Cougar për të cilët është kontraktuar një pilot francez për një periudhë 3-vjeçare për të asistuar në çdo fluturim të Cougarit.
Për EC145, u pa e udhës që një kontraktim i tillë të mos bëhej. Ky fakt dyshohet se ka sjellë mungesën e trajnimit të vazhdueshëm për pilotët e njësisë së Farkës në drejtimin e helikopterëve të llojit EC 145. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se për mosndjekjen e të njëjtave standarde si në rastin e helikopterëve Cougar gishti drejtohet nga komanda e repartit dhe veçanërisht komanda e aviacionit.
Si pasojë, komanda e aviacionit, zyra e sigurisë ajrore dhe ajo e trajnimeve dhe standardizimeve në shtabin e përgjithshëm dyshohen se janë përgjegjëse për neglizhencë në kryerjen e detyrës. Neglizhencë që fatkeqësisht i kushtoi tepër shtrenjtë Florian Delisë dhe Donald Hoxhës.