Rrëzimi i listave të kandidatëve, reagon PD: Vendim politik i ndikuar nga PS, nuk respekton ligjin elektoral

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor në lidhje me listat zgjedhore të PD. Ivi Kaso, sekretar i Çështjeve Zgjedhore në PD u shpreh se, ky vendim është i ndikuar nga PS. Në një deklaratë publike, Kaso thekson se, vendimi nuk respekton ligjin elektoral.

Deklaratë e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso

Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për listën e deputetëve nuk është vendim që respekton ligjin elektoral. Ndalimi i opozitës për t’u përfaqësuar në zgjedhje me lista të plota është i ndikuar politikisht nga interesi politik i partisë në pushtet.

Jemi të keqardhur për këtë vendim që nuk i shërben ligjit dhe interesit publik, por ne besojmë se rezultati në fund të procesit zgjedhor do të tregojë se opozita është shumica politike në vend.

Pavarësisht se vendimi i Kolegjit nuk është në përputhje me ligjin, ne do ta respektojmë atë dhe do të vazhdojmë betejën tonë për fitoren e zgjedhjeve në 25 Prill, për t’u sjellë shqiptarëve ndryshmin që duan dhe meritojnë.

Exit mobile version