Rrëzimi Venecian

Genc POLLO

Zotërinjtë  ambasadorë  janë të mirëpritur në këtë mbledhje, por edhe në të tjera. Kur diskutimet bëhen në mënyrë të hapur, kur palët janë përgatitur të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të flasin me respekt për njëra-tjetrën, shkëmbimet janë të dobishme. Dhe shqetësimi, nëse ka të tillë, për lëndimin e sovranitetit në këtë kontekst më duket pa vend.
E theksoj që palët duhet të flasin me respekt për njëra-tjetrën, sepse lexova në një gazetë që një diplomati i atribuoheshin fjalë si “nëse nuk e votoni reformën do turpëroheni përpara popullit tuaj”. Nuk do të doja të flisja për konfliktin e interesit potencial, kur një diplomat që përfaqëson qeverinë e tij dhe interesat e saj gjithashtu përcakton se cili është interesi i popullit të vendit pritës dhe i përfaqësuesve të tij demokratikisht të zgjedhur. Nuk është ky rasti! BE e SHBA i kanë dhënë Shqipërisë një ndihmë kritike e të pazëvendësueshme çerekshekullin e fundit. Por do të thoja që një gjuhë e  tillë nuk më duket se dëften takt e respekt dhe mund të jetë edhe kontraproduktive. Por ky nuk është rasti në takimin tonë, unë jam shumë i gëzuar për këtë.
Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet Reformën në Drejtësi, një reformë që të përmirësojë efektivisht e afatgjatë sistemin e drejtësisë. Por jo çdo reformë, pra jo çdo ndryshim ligjor-institucional automatikisht e apriori e realizon këtë synim.
Sot kemi një propozim, i cili zyrtarisht vjen  nga EURALIUS dhe OPDAT, dy misione ekspertësh  teknikë. Në fakt, propozimi i dërguar vitin e shkuar  për shqyrtim në Komisionin e  Venecias, ishte vetëm formalisht me firmën e  pjesës socialiste në Komisionin e Posaçëm parlamentar.
Sipas të thënave privatisht nga këta deputetë socialistë, propozimi ishte konceptuar e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Ky propozim mori përkrahje publike nga këta ekspertë ndërkombëtarë si edhe nga Ambasadorë të rëndësishëm, por u rrëzua në masë 85% nga Komisioni i Venecias përmes opinionit të përkohshëm të mesit të dhjetorit. E njëjta gjë ndodhi edhe me opinionin përfundimtar pak muaj më vonë.
Me shumë të drejtë, pasi në shumë aspekte ishte një propozim monstruoz. Dhe nuk ka shpjegim nga ekspertët autorë për këtë rrëzim venecian. Për ekspertët shqiptarë kam dëgjuar që u ishte premtuar një post në një nga institucionet e reja që do të krijoheshin; pra kishin “arsye” për t’i pëlqyer qeverisë. Ndërsa për të tjerët nuk e di nëse ka qenë shkak naiviteti, inkompetenca apo  neglizhenca.
Pra, kemi situatë që rekomandon për cilindo që ka inteligjencë mesatare e më sipër, jo kredibilitet të shtuar, por skepsis të shtuar. Shqetësimet kryesore të PD lidhen me rrezikun e kapjes politike të sistemit  dhe/ose koorporativizmin e tij.
Propozimi aktual  për mendimin tim, ka shumë gjëra pozitive  që do ishin të votueshme menjëherë, por ka dhe çështje të tjera që kërkojnë shqyrtim të vëmendshëm. Shqyrtimi i vëmendshëm kërkon kohën e duhur. Nuk është faji i PD që mazhoranca dhe bashkëpunëtorët e saj shpërdoruan 8 muaj me monolog, me refuzim konstant të dialogut politik substancial me opozitën për të prodhuar një projekt, i cili siç e thashq më parë u rrëzua nga Komisioni i Venecias.
Deklarata se propozimi aktual duhet votuar pa u lexuar janë vetëposhtëruese për një deputet; por edhe nëse jepet një këshillë e tillë ajo është gjithashtu poshtëruese. Por nëse palët do jenë konstruktive dhe këtu kam ndërmend palët e mazhorancës, mendoj që do ishte e mundshme që të arrihej një paketë amendimesh kushtetuese para pushimeve parlamentare të verës.
Për mua personalisht dhe pushimet mund të anulloheshin e të vijonte puna në qoftë se do kishim nevojë për më shumë kohë. Por do ishte për mua e papranueshme që për shkak të një kalendari të paracaktuar të votonim një reformë kushtetuese jocilësore, ndoshta edhe me ndonjë aspekt të dëmshëm.
Dje, rastësisht takova dy persona që i konsideroj juristë eminentë. Ata  kishin shqetësimin se zgjatja pafund e gjykimeve, që është problem aktual endemik gjyqësorit, do të përkeqësohej nëse do zbatohej skema institucionale që na propozohet. Por, ata druheshin ta thonin këtë publikisht, sepse në Shqipëri muajt e fundit, dhe kjo në sajë të Kryeministrit e propagandës së tij, ku përzihet ndonjëherë edhe ndonjë diplomat, është krijuar një klimë kuazihisterike; ku të kritikosh racionalisht draftin e reformës të thonë në kor se je anti-shqiptar, anti-amerikan, anti-europian, anti-integrimit europian, pastaj tradhëtar, vrasës, hajdut së fundmi edhe i shëmtuar fizikisht dhe i papastër higjenikisht.
Më kujton pak regjimin e mëparshëm. Ka politikanë që e kanë lëkurën e trashë e i qëndrojnë edhe nën trysni bindjeve të tyre. Por ka dhe persona që do të donin t’i kontribuonin konstruktivisht reformës, por i druhen gjuetisë së shtrigave e rrinë mënjanë.
Mendoj që diskutimi më substancial është i nevojshëm për një reformë  cilësore dhe materiali i paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike me çështjet që ngrenë alternativat që ofron duhet parë nga ekspertët me seriozitetin e duhur; shpresoj të gjejë një qëndrim kompromisi nga partitë dhe deputetët e mazhorancës.
Një  pyetje konkrete për ekspertët: nëse mund të na sqarojnë çështjen e ministrave, të cilët hetohen/gjykohen me afat të kufizuar trevjeçar nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale, ndërsa për ofiqarët e tjerë nuk ka kufizim kohor. Nuk kam arsye të them se është shkruar në mala fide, por duket sikur është aty që të embarasojë ministrat e vitit 2014 e më parë.
Gjithashtu Komisioni i Posaçëm u mandatua nga Parlamenti për të bërë propozime vetëm për Reformën në Drejtësi, përfshi dhe projektligje kushtetuese, nuk e kam kuptuar pse ekspertët përhapen në çështje jashtë fushe e jo urgjente si pajtimi me ligjet e BE-së apo mosdiskriminimi për shkak të orientimeve seksuale. Po ashtu nuk kuptohet pse ndihma e BE në verifikimin e gjyqësorit parashikohet në Kushtetutë (Komisioni i Venecias dukej shumë i çuditur nga kjo ide) gjë që fare mirë mund të zgjidhej përmes një marrëveshje dypalëshe.
Dhe një çështje të fundit, zotërinj Ambasadorë, propaganda e Kryeministrit ka insinuar sikur një votë kundra propozimit për ndryshime kushtetuese mund të shoqërohet me një refuzim vize për deputetin. Unë personalisht nuk do doja ta këmbeja votën pro për një deformim të Kushtetutës së Republikës me një pullë në pasaportën time çfarëdo që të shkruhej mbi të. Por mendoj që dhe ju do t’i kishit përfaqësuar në mënyrë pak më shumë dinjitoze demokracitë pluraliste që ju kanë dërguar në Tiranë sikur ta kishit përgënjeshtruar këtë insinuatë.
Dhe së fundi, fare më vjen mirë edhe për nevojën, e shprehur nga zoti Ambasador, për konsensus në këtë reformë. Fatkeqësisht nuk ka qenë gjithmonë ky rasti i diplomatëve të Tiranës. Por këta janë korrigjuar nga politikanë të rëndësishëm në Bruksel, Berlin e kryeqytete të tjera, të cilët kanë insistuar për konsensus politik në këtë përçapje. Dhe nuk ke nevojë për njohuri e pjekuri politike të madhe për të kuptuar e thënë se Kushtetuta nuk ndryshohet aq kollaj sa interjeri i zyrës. Shpresoj që nëse ndodh, në rastin fatkeq, që të miratohen ligjet kushtetuese me shumicë kushtetuese të blerë siç ishte rasti i shumicës së cilësuar me 3/5, kjo nuk do të duartrokitet nga diplomatët e nderuar.

Exit mobile version