Arroganca e rilindjes arriti kulmin dje, pas skenave të turpshme në Komisionin e Përhershëm të Sigurisë Kombëtare, dhe mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Hetimor për pajisjen e përgjimit “Imsi Catcher”. I pari ishte Sajmir Tahiri, ministër i Brendshëm, ai i cili e shfaqi hapur arrogancën e tij në Komisionin e Sigurisë, kur nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të deputetëve për buxhetin e vitit 2017, me pretendimin se “ka axhendë të ngjeshur”, ndërsa i dyti, ai në Komisionin Hetimor, ku drejtori i Përgjithshëm i Policisë, edhe ky nën shembullin e eprorit të tij braktisi mbledhjen.
Ikja e Tahirit
Gjithçka filloi që në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku ministri i Brendshëm duhet të raportonte për buxhetin e vitit 2017. Sajmir Tahiri, tha se ky buxhet ka më shumë se 145% mundësi financimi, prandaj do të vijojnë investimet në Policinë e Shtetit dhe infrastrukturë. Në fakt Tahiri, kur bie fjala për buxhetin të shpjegojë disa gjëra si për shembull tenderin për uniformat e policisë, ku flitet për abuzime të mëdha, apo qoftë dhe blerjen e makinave elektrike që në më të shumtën e rasteve janë jashtë funksionit, pasi nuk ka vend për karikimin e tyre. Pikërisht kur do të fillonte diskutimi i këtyre çështjeve, apo dhe ato që lidhen me sigurinë kombëtare, apo gjendjen në të cilin është zhytur vendi për shkak të trafikut të drogës dhe vrasjes, ministri i preferuar i Ramës, u ngrit të ikte me pretendimin se “kishte axhendë të ngjeshur”. Në fakt, llogaridhënia në Parlament është axhenda më e rëndësishme që duhet të ketë një ministër. Në këtë kohë ndërhyri deputeti i opozitës Flamur Noka, që mban dhe postin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili i kërkoi ministrit që të rrinte aty në fazën e diskutimeve. Natyrisht në mbrojtje të Tahirit dolën të dërguarit e Ramës në këtë komision si, Sterkaj dhe Ndreu, të cilët megjithëse duhet të ndiheshin të ofenduar nga veprimi i ministrit u munduan të justifikojnë veprimin e tij. Një qëndrim mjaft të çuditshëm mbajti dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili thuajse nuk ekzistonte dhe nuk e komentoi këtë veprim absurd dhe arrogant të ministrit. Përkundrazi, Spartak Braho në vend që të vendoste autoritetin e kryetarit, kërkoi nga Byroja e Kuvendit pezullimin e Flamur Nokës për dhjetë ditë nga veprimtaria parlamentare.
Braktisja e “Imsi Catcher”
E njëjta panoramë u vu re dhe në Komisionin Hetimor për pajisjen përgjuese “Imsi Catcher”, ku megjithëse ishte thirrur për t’u pyetur rreth çështjes, ministri i Brendshëm nuk u paraqit. Njeriu përgjegjës direkt për futjen e një pajisjeje përgjuese dhe përgjimet në masë pa urdhër Prokurorie është e treta herë që i shmanget pyetjeve të komisionit të ngritur në bazë të ligjit”. E kemi thirrur 3 herë Tahirin. Dy herë na tha që është jashtë, ndërkohë ‘TIMS’ fakton që ka qenë brenda territorit. Shkresa e fundit është dërguar sot, ndërsa ministri nuk denjoi të rrinte në Komision të Sigurisë, duke ikur si halabak. Do e thërrasim me polici. Do i shkruajmë letër policisë ta thërrasë me forcë dëshmitarin Sajmir Tahiri”, tha Noka. Më pas, kryetari i këtij komisioni u detyrua ta zhvillonte mbledhjen vetëm me anëtarët e opozitës, pasi mazhoranca mungoi me arsyetimin “se është bërë një kërkesë për pezullimin e Nokës, dhe ai s’mund të drejtojë mbledhjen”. Në fakt kërkesa me vendimin që do të marrë byroja parlamentare janë dy gjëra krejt të ndryshme, dhe u pa qartë që arsyetimi i Rilindasve, sërish Sterkaj dhe Ndreu, ishte një preteks për të mos marrë pjesë në këtë mbledhje. Por ajo çka i bëri një përmbyllje arrogancës së Rilindjes, ishte braktisja në mënyrë demonstrative e mbledhjes dhe e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Ky i fundit jo vetëm nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve, por pas urdhrit të marrë nga eprorët e tij (në këtë rast janë vetëm dy, Edi Rama dhe Sajmir Tahiri) u largua nga mbledhja pa dhënë arsye. Ekspozeja e djeshme tregoi qartazi, se bindja ndaj Edi Ramës është më e rëndësishme për ministrat dhe drejtorët Rilindas, se zbatimi i ligjit. Kur dhe një drejtor me uniformë si Haki Çako, merr guximin të nëpërkëmbë atë çka populli ka zgjedhur me votë, atëherë s’mund të flitet më për rregulla loje dhe demokraci.
Enton DACI