Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje të pezullojë ligjin e miratuar në mënyrë të njëanshme në Parlament nga Rama dhe Meta për “Vetting-un” politik ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kushtetuesja ka vendosur që ligji të dërgohet për ekspertizë në Komisionin e Venecias. Ky vendim nënkupton ngrirjen e procesit të kontrollit të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga institucionet që janë në varësi të plotë të kreut të qeverisë, Rama.
Gjykata Kushtetuese ka shpërndarë për mediat një njoftim ku sqaron vendimin e saj për pezullimin e ligjit të Vetting-ut.
Në njoftim thuhet se, pezullimi është bërë pasi ligji i Vetting-ut bie ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata Kushtetuese kërkon edhe interpretim nga Venecia
Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dje më datën 25.10.2016 në çështjen me:
Kërkues: 1/5-ta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë – anëtarë të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë.
Objekti: Deklarimi i papajtueshmërisë me Kushtetutën i Ligjit nr. 84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pezullimi i Ligjit nr. 84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Baza ligjore: Nenet 4, 7, 17, 32, 42, 49, 78, 124, 125, 131/a, 134/c, 145, 148, 179/b dhe nenet A – G të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; Ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e zbatimit të Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të nenit 45 të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
Vendosi:
– Pezullimin e zbatimit të Ligjit nr. 84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
– Kërkimin e amicus curia nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e Ligjit nr. 84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
– Pranimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar.
Kunati i Xhafës dha dorëheqjen
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të Vetting-ut është marrë nga 8 gjyqtarë. Kjo pasi Sokol Berberi ka dhënë dje dorëheqjen në përfundim të mandatit të tij 9-vjeçar. Për këtë arsye, Berberi nuk ka marrë pjesë në vendimmarrjen e djeshme.
Largimi i Berberit vjen në një kohë kur Presidenti i Republikës ende nuk ka zgjedhur kandidatët që do t’i propozojë Parlamentit për zëvendësimin e tij. Berberi pak kohë më parë ishte kandidat i qeverisë shqiptare për të qenë anëtar i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, bashkë me Ina Ramën dhe Gent Ibrahimin, por nuk u pranuan që të tre.
Pikat e ligjit që PD ankimoi në Gjykatën Kushtetuese
Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i Vetting-ut.
Ligji është një nga shtatë ligjet që plotësojnë paketën e Reformës në Drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligji u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.
PD deklaron se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit të kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim. Partia Demokratike kërkon që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve të kryhet vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit, siç parashikohet në nenin 179/b, pika 5, të Kushtetutës.
Ky nen parashikon se: “rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese”.
PD kundërshton rolin e DSIK në këtë proces duke qenë se ajo është nën varësinë e Kryeministrit – drejtori i DSIK emërohet direkt nga Kryeministri.
Të njëjtën ankesë, PD ka dhe për rolin në këtë proces të Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, institucion nën varësinë e ministrit së Punëve të Brendshme.
Përfshirja në procesin e Vetting-ut të institucioneve shtetërore nën varësinë e qeverisë rrezikon paanshmërinë e procesit.
Një nga institucionet, rolin e të cilit PD kundërshton është Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Kualifikuar (DSIK).
Shkurtimisht, roli që kjo drejtori do të luajë në vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe arsyet pse PD e kundërshton këtë rol.
Absurdi, drejtorët e Ramës do kontrollonin drejtësinë
Kontrolli i figurës është njëri prej tri aspekteve të rivlerësimit që parashikon reforma: vlerësimi i pasurisë dhe vlerësimi i aftësive profesionale janë dy aspektet e tjera.
Procesi i kontrollit të figurës parashikohet të bëhet në këtë mënyrë nga qeveria.
Ligji i Vetting-ut përcakton se, “Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Apelimit (KA), do të bëjë kontrollin e figurës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe prokurorin e Përgjithshëm”.
Për këtë qëllim, DSIK do të ngrejë një grup pune me përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Grupi i punës drejtuar nga DSIK do të bëjë:
Verifikimin e saktë të identitetit, gjeneraliteteve dhe statusit të shtetësisë, në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo anëtar të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe për prokurorin e Përgjithshëm;
Kontrollin e rekordeve në nivel lokal e kombëtar, në funksion të aktivitetit dhe tendencave kriminale;
Vlerësimin e përgjithshëm nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale;
Kontrollin nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim ose në përbërje të një organizate kriminale;
Verifikimi nëse rezulton i dënuar për një ose më shumë vepra penale, ka sjellje të keqe, tendenca kriminale e përfshirje në krimin e organizuar;
Pas procesit të verifikimit dhe kontrollit, DSIK duhet t’i paraqesë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) një raport mbi kontrollin e secilit individ. DSIK ka të drejtë të mos e bëjë publik informacionin nëse e shikon të arsyeshme se publikimi i tij rrezikon burimin e informacionit. Përveç raportit, DSIK i paraqet KPK-së dhe një konstatim në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin e detyrës.
Enton Daci