Rrëzojmë Ramën në Dibër e gjithë Shqipërinë

Edi Paloka

Ndjehem i respektuar që si mik më dhatë privilegjin të hap këtë takim madhështor të kësaj Ode gjigante Dibrane.
Të kësaj ode ku sot janë mbledhur burrat dhe gratë që i japin dinjitet Dibrës dhe gjithë Shqipërisë.
Ata burra dhe gra që na janë bashkuar dhe këto ditë që nga Dibra e Madhe deri në Tiranë.
Figura e personalitete të nderuara dibrane që i kanë dhënë emër, nder e dinjitet jo vetëm Dibrës, por gjithë Shqipërisë këtej e andej kufirit.
Më vjen mirë që një nga këto personalitete të përzgjedhura midis kandidaturave po aq dinjitoze, PD e sjell sot që ju me votën tuaj ta zgjidhni jo vetëm qytetar të parë të Dibrës, por edhe t’i ngarkoni barrën që me punë, mençuri e ndershmëri ta çojë Dibrën në vendin që i takon në tribunën e nderit.
E ne jemi të bindur se Sherefedin Shehu përfaqëson këto tipare më të mira të dibranëve, mençurinë, punën e ndershme.
Kam biseduar këto ditë me mjaft banorë të Dibrës, nga Kalaja e Dodës deri në Maqellarë, e kam ndjerë një brengë në bisedat e tyre. “Po kërkojnë të na fyejnë e të na poshtrojnë”, thanë.
Po kërkon t’i fyejë Edi Rama në mençurinë e tyre duke mashtruar përsëri e në dinjitetin e tyre duke shpallur gati publikisht se votën që nuk ia japin do e blejë ose do e marrë me dhunë.
Por përgjigjen po e merr përditë e do e marrë më mirë më 11 shtator nga gjithë dibranët, të majtë e të djathtë.
Dibra nuk shitet e nuk blihet e sa më shumë nuk mund të lihet peng i krimit.
Dëgjova ministrin e gjobave të energjisë të deklaronte se nëse fiton kandidati i djathtë Rama nuk do e ndihmojë. Po pse kur e ka ndihmuar Edi Rama Dibrën?!
E pra, kryetari i Bashkisë i rilindjes ishte, por një qindarkë nuk i dha Edi Rama për Dibrën. Me paturpësinë që vetëm një si ai mund të ketë erdhi këtu dhe tha: Nuk e kemi lënë pas dore Rrugën e Arbrit. Kemi tre vjet që negociojmë me kinezët. Tallje, në fakt kanë lënë pas dore jo vetëm Rrugën e Arbrit, por Dibrën dhe gjithë Shqipërinë.
Një metër rrugë nuk e shtoi në Rrugën e Arbrit. Një qindarkë nuk dha për Dibrën. Tani para zgjedhjeve po hedh milionat. Por jo për Dibrën e dibranët, por për oligarkët me të cilët ndan paratë e grabitura. E patë se si hidhej përpjetë këtu Sadri Abazi duke bërtitur me duar e me këmbë rroftë Edi Rama. Votoni Edi Ramën.
Sigurisht për Sadritë, rroftë Edi Rama, sepse mblidhen bashkë dhe paratë që ua grabisin shqiptarëve ditën, i ndajnë bashkë natën. Vetëm në një javë kanë përlarë së bashku miliona euro, sadritë dhe Edi Rama. Janë miliona që jua grabisin çdo ditë, me taksa, me gjoba e me çdo mënyrë, duke ju prerë ndihmën sociale dhe pensionet të varfërve e të pamundurve e duke i ndarë më pas me tendera e me koncesione me oligarkët e Ramës dhe me këto para që jua grabisin ditën për diell qytetarëve shqiptarë, kërkojnë në errësirën e natës t’ju blejnë votën. Po atyre që i kanë grabitur e çuar drejt mjerimit, drejt luftës për bukën e gojës, ndaj dibranët më 11 shtator do të rrëzojnë Ramën në Dibër dhe shqiptarët shumë shpejt do të rrëzojnë Ramën në të gjithë Shqipërinë. E pas kësaj me Sherefedin Shehun, kryetar Bashkie dhe me Lulzim Bashën Kryeministër do të mbarojmë jo vetëm Rrugën e Arbrit, por do të bëjmë që ëndrra të kthehet në realitet, do të punojmë për ta bërë Shqipërinë ashtu siç e kërkojmë që nga dhjetori ‘90, si gjithë Europa.
Fitore!

Exit mobile version