Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, raportohet se ka pasur një incident mbrëmjen e djeshme, në një zonë pranë qendrës së Tiranës. Sikundër raportohet, Tahiri është sulmuar fizikisht nga 3 persona, ndërsa ndodhej në zonën e Tregut Elektrik. Ky nuk është rasti i parë që në media raportohen lajme mbi incidente lidhur me ish-ministrin e Brendshëm. Ish-Kryeministri Sali Berisha disa herë ka raportuar mbi incidente të ngjashme me Tahirin.
“Brenda tyre ka një egërsim dhe një luftë të Brendshme. A e more vesh se e kanë rrahur Saimir Tahirin para një jave. Qëkur filloi të flasë për çati dhe për themele, e rrahën paq. Asnjë media nuk e dha. Bandat e Edi Ramës e rrahën. Sa filloi ti përmendte Edi Ramës çatinë, atë e rrahën. ‘Çatia’ ishte fjalë kod’”, shprehej Berisha në tetor të 2018.
Tahiri është dënuar nga gjykata e Krimeve të Rënda, me 3.4 vite burg, që është konvertuar në shërbim prove.
Ja çfarë shkruan Publik.Live:
“Mbrëmë rreth ores 19:40 në afërsi të ‘Tregut elektrik’ është sulmuar fizikisht ish-ministri Saimir Tahiri nga tre persona. Policia ka mbërritur menjëherë në vendgjarje pa arritur të kapë autorët. Gjatë natës punonjës policie kanë kontrolluar në ‘Kompleksin Grand’ për identifikimin e autorëve. Pritet deklarata e policisë. Sipas burimeve tona, ish-ministri Tahiri është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka bërë denoncim deri në këto momente”.