Rriten frikshëm aksidentet, dy të vdekur dje në Tiranë e Fier

Dy persona kanë gjetur vdekjen gjatë ditës së djeshme në aksidente rrugore në Tiranë dhe në Fier. Një këmbësor ka gjetur vdekjen në një aksident mesditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Kalimtari është përplasur nga një mjet tek Kthesa e Kamzës rreth orës 13:00. Policia tha se ka nisur hetimet në lidhje me aksidentin, ndërsa personi i plagosur ka ndërruar jetë. Policia bën me dije se një automjet tip “Toyota” me drejtues shtetasin me iniciale G.Xh, ka aksidentuar këmbësorin e seksit mashkull rreth 60 vjeç, i paidentifikuar ende. Si pasojë e plagëve të marra, burri ka gjetur vdekjen.
Ndërkohë një dëshmitar nga vendi i ngjarjes ka bërë të ditur për portalin “Jeta Osh Qef” se, “viktima kishte rënë me fytyrë pas përplasjes nga makina dhe i ishte hapur koka. Ai ka qëndruar i shtrirë në tokë për rreth 10 minuta deri sa mbërriti ambulanca dhe policia.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e viktimës. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Shërbimet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Ndërsa në Fier makina ka përplasur për vdekje një person që po udhëtonte me biçikletë. Sipas të dhënave zyrtare, aksidenti ka ndodhur paraditen e djeshme në aksin rrugor Fier-Patos, pranë fshatit Portëz. Mësohet se një mjet tip “Furgon” me targa FR 28 77 D ka goditur 59-vjeçarin Fatmir Lamaj, që lëvizte me biçikletë. Përplasja ka qenë e fortë dhe 59-vjeçari ka gjetur vdekjen në vend. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë një tjetër aksident automobilistik ka ndodhur pasditen e djeshme në autostratën Tiranë-Durrës. Në aksident janë përfshirë 2 automjete dhe mësohet se një prej makinave ka dalë nga rruga. Autostrada është bllokuar prej 1 ore për shkak se në rrugë, si pasojë e aksidentit është derdhur vaj makinash.
Për pastrimin e rrugës kanë shkuar në ndihmë forcat e zjarrfikëses. Si pasojë e aksidentit është krijuar trafik i madh, me radhë kilometrike makinash. Nga të dhënat e para mësohet ka të lënduar, të cilët janë dërguar menjëherë në spital.
Po ashtu, një aksident ka ndodhur në rrugën e Liqenit Artificial në Tiranë që të sjellë drejt Kopshtit Zoologjik. Një “Fuoristradë” është përplasur me një makinë të vogël, fatmirësisht duke mos shkaktuar të plagosur. Nga ngjarja ka vetëm dëme materiale. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për shkaqet e aksidentit.

Artikulli paraprakPolicia e implikuar në arratisjen e Edison Pulës
Artikulli tjetërLirimi i Lul Berishës, “arrest me burg” për drejtorin e burgut