Diabeti po shton gjithmonë e më shumë numrin e të prekurve në popullatën shqiptare. Durrësi është një nga qytetet ku rastet janë rritur në mënyrë drastike. Mjekët endokrinolog pohojnë se po vihet re një shtim i pazakontë i fëmijëve me diabet.
“Shikojmë një rritje të numrit të diabetikëve, jo vetëm të grupmoshave që dihet që janë, pra mosha mesatare mbi 40 vjeç, bëhet fjalë për diabetin e tipit 2, por kemi një rritje edhe të numrit të diabetit tip 1. Kemi një rritje të numrit edhe të moshave rë reja, që është diabeti tip 1, që janë insulinovartës. Shohim një rritje të numrit, por edhe një përkeqësim të pacientëve tashmë të diagnostikuar”, deklaroi Lindita Dedej – Mjeke endrokrinologe.
Arsyet janë disa, por mjekët veçojnë ndikimin që ka pasur pandemia e COVID-19 në shpërthimin e sëmundjeve kronike, që në disa raste janë të fshehura.
“Arsyet janë nga më të shumtat. Vitet e fundit ka të bëjë edhe për shkak të sëmundshmërisë së lartë, prej Covid-it që kaluam”- tha Dedej.
Statistikat nga spitali rajonal i Durrësit, tregojnë se rreth 6% e popullisë së këtij qarku apo rreth 8 mijë qytetarë janë me diaben. Rreth 3400 prej tyre janë të përfshirë në skemën e rimbursimit.Në rang vendi, çdo vit ekzaminohen deri në 4 mijë raste të reja me diabet, ndërsa aktualisht numërohen rreth 80 mijë qytetarë të prekur.