SHBA i japin fund bisedimeve direkte për arritjen e një armëpushimi në Siri. Departamenti amerikan i Shtetit, njoftoi, se Rusia nuk ka përmbushur detyrimet e saj dhe se SHBA ka bërë gjithçka për t’i dhënë fund dhunës në Siri. Një seri takimesh mes John Kerry-t dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov përfundoi pa rezultat. Nuk ka qenë “vendim i lehtë”, ka thënë zëdhënësi i State Department, John Kirby. Reagimi i SHBA-së vjen pas kërkesës së Vladimir Putinit me kushte për zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së plutoniumit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar të hënën (03.10) nga qeveria amerikane në Uashington heqjen e të gjitha sanksioneve të vendosura kundër vendit të tij, si edhe tërheqjen e ushtrisë amerikane nga vendet e NATO-s në Europën Lindore. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. Në rast të kundërt Rusia nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes së vitit 2010 me Shtetet e Bashkuara për eliminimin e plutoniumit të aftë për ndërtimin e armëve atomike. Një dekret i posaçëm presidencial për këtë i është ofruar ndërkohë Parlamentit rus.
Me këtë kusht, Moska e forcon kursin e konfrontimit me Uashingtonin. Qeveria ruse vërtet e ka kritikuar gjithmonë zgjerimin e NATO-s në drejtim të Lindjes, por kësaj here ajo i ka lidhur premtimet për çarmatimin atomik me tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga vendet partnere të NATO-s në Lindje. Në dekretin e Moskës bëhet fjalë për “veprime jomiqësore të SHBA-së” kundër Rusisë dhe për kërcënimin e stabilitetit.
Vetëm kur Uashingtoni t’u japë fund aksioneve “jomiqësore”, mund të vazhdojë zbatimi i marrëveshjes për eliminimin e plutoniumit, ka bërë të ditur zëdhënësi, Dmitri Peskov. “Rusia nuk e ka më të mundur, të vazhdojë e vetme zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai. Moska ka ngritur reparte, në të cilat kryhet shndërrimi i plutoniumit aktiv në lëndë djegëse për centrale civile atomike. Por SHBA nuk e ka ndërmarrë këtë hap, sipas Moskës.