Qytetarët në Vlorë do të paguajnë 15 lekë më shumë për 1/m3 ujë pas miratimit të këtij vendimi ng Këshilli Bashkiak të qytetit.
Inxhinieri Azmir Duleviç tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se procesi do të jetë zinxhir dhe se një rritje është paralajmëruar dhe në Durrës dhe Kavajë.
Duke vijuar më tej, Duleviç theksoi se pavarësisht kësaj rritje, bilanci i UKV-së do të jetë negativ pasi sistemi aktual nuk ka rendiment.
U rrit në Vlorë, me votat e Këshillit Bashkiak socialist. U miratua rritja e çmimit të ujit për qytetarët, për familjarët, por edhe për bizneset, çmimi ka qenë 45 lekë është rritur me 15 lekë, pra ka shkuar 60 lekë për 1/m3. Kjo është rritje që justifikimin kryesor ujësjellësi e ka për të mbuluar pjesën e humbjeve dhe për të shtuar investimet në rrjet. Në fakt kjo nuk qëndron kur vetë ujësjellësi i Vlorës ka detyrime të mbartura ndër vite, duke filluar që nga fatura e energjisë elektrike. Ujësjellësit nuk i paguajnë rregullisht detyrimet dhe kur qytetarët e vonojnë pjesën e pagimit të faturës në fund të muajit i ndërpritet shërbimi. Ka dhe pikëpyetje të tjera, a është i pijshëm apo i papijshëm, i plotëson apo nuk i plotëson standardet për tu quajtur ujë i pijshëm dhe në shumicën e rasteve qytetarët jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë janë të detyruar të vendosin depozita se nuk kanë furnizim 24 orë. Dhe në qendër të Tiranës nuk ka ujë 24 orë, jo më në rrethe.
Do të jetë proces zinxhir. Po flasim për pjesën e Vlorës, se është faktike, ka kaluar, është miratuar rritja e faturës së ujit me 33%, por ky është proces zinxhir. Edhe ujësjellësi i Durrësit, i Kavajës kanë bërë dëgjesat publike me qytetarët, që shpeshherë rezulton se në këto dëgjesa vetëm qytetarët nuk janë personat që mblidhen, por punonjës të administratës, janë bërë kërkesa për rritjen e çmimit të tarifës së ujit.
Koha do e tregojë që ujësjellësi përsëri do të dalë me bilanc negativ se sistemi aktual i ujësjellësve nuk ka rendiment, të mos flasim për pjesën e keqmenaxhimit gjithë këto vite, që është një proces zinxhir.
Vetëm për energjinë elektrike ujësjellësit në të gjithë territorin e vendit kanë 14.1 miliardë lekë detyrime të papaguara të energjisë elektrike. Shumë e madhe për një vend të vogël si Shqipëria.
Do të rritet çmimi, do të bëhet unifikimi i çmimit.
Po ashtu, Duleviç sqaroi se do të ketë rritje çmimi edhe për proceset e tjera që do të kryhen si aplikimi për matësin e ujit etj.
Për tarifat fikse do të ketë rreth 20% më tepër. Shpeshherë familjet e reja që aplikojnë dhe për pjesën e matësit të ujit, edhe këtu parashikohet të ketë rritje të detyrimeve. Në tërësi i gjithë procesi, do të jetë me tarifat e reja.
Një detaj jo vetëm për qytetarët e Vlorës, por edhe të qytetarëve përreth, do të ketë unifikim të ujësjellësve. Edhe qytetarët e Selenicës, edhe qytetarët e Vlorës, por edhe nëse marrim qytetarët e Durrësit do të paguajnë të njëjtin çmim për m3/ uji, momentalisht e kanë më lirë, por do të bëhet një unifikim. Në të gjithë këto zona do të ketë një rritje të çmimit të ujit, edhe në fshat.