Një tjetër trup i pajetë është gjetur në breg të detit paraditen e djeshme në Durrës, duke shënuar rastin e pestë brenda pak ditësh. Burimet bënë të ditur se, rreth orës 10:55, në Bisht-Pallë, Patrulla e Kufirit, rreth 30 m nga bregu (në tokë, baltë) ka konstatuar një kufomë të seksit mashkull, rreth 40-45 vjeç, të paidentifikuar. Kufoma është 1.75 cm i gjatë dhe ka të veshur një palë pantallona ngjyrë të zezë, xhup ngjyrë blu të errët, atlete ngjyrë kafe dhe jelek shpëtimi. Nga këqyrja e kufomës nuk janë evidentuar shenja dhune. Nga hetimet e policisë, rezulton se kufoma është një shtetas i huaj. Dyshohet se viktima mund të ketë lidhje me trafikun e drogës.
Numri i të vrarëve për drogën është rritur frikshëm gjatë kohëve të fundit sidomos në Vlorë. Tre ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha ngriti shqetësimin se në Vlorë dhe përgjatë zonës bregdetare po gjenden trupa të pajetë të mbytur në det. Përmes një postimi në Facebook, Berisha shkruante se viktimat janë mbytur gjatë tentativave për të trafikuar drogë drejt Italisë. Një qytetar nga Vlora iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke shprehur shqetësimin se, kohët e fundit mbi 20 djem janë mbytur në Vlorë, dy prej të cilëve vetëm në ditët e fundit nga i njëjti fshat, u mbytën me skaf droge.
25 mars, gjendet një kufomë në bregdetin e Durrësit
Më 25 mars u gjet një trup i pajetë në bregdetin e Durrësit. Kanë qenë anëtarët e ekuipazhit të një anije peshkimi, ata që kanë parë fillimisht trupin e pajetë në ujë. Viktima e seksit mashkull është gjetur 7 milje larg nga vendi i quajtur Kepi i Selitës, plazhi i “Gjeneralit”. Trupi i pajetë ndodhet në morgun e qytetit të Durrësit, pasi ende nuk është identifikuar.
24 mars, gjendet një kufomë në Sazan
Më 24 mars u zbulua nga disa peshkatarë trupi i pajetë i shtetasit Numan Lazaj në afërsi të Sazanit. Ai është njohur prej familjarëve nga rrobat, megjithëse ishte dëmtuar në fytyrë, duke hedhur dyshime se ai mund të jetë vrarë për 1.2 ton drogë që do të trafikohej drejt Italisë. Policia dyshon se, viktima është një prej personave që ndodheshin në një gomone, e cila u gjet e mbytur të enjten, ndërsa pranë zonës me 12 mars, gjeti edhe rreth 1.2 ton kanabis sativa.
15 mars, gjendet një kufomë pranë portit të Peshkimit
Në 15 mars u gjet trupi i pajetë i një qytetari që i përket shtetasit Pjetër Frroku, peshkatar i një firmë peshkimi. Nga të dhënat paraprake dyshohet se 54-vjeçari ka rënë aksidentalisht nga një mjet lundrues, midis portës së peshkimit dhe trageteve, pasi dyshohet se ka qenë i dehur.
9 mars, gjendet një kufomë në Zvërnec
Kufoma e gjetur më 9 mars në Zvërnec të Vlorës është identifikuar si Luan Isai, i njohur ndryshe si Loni. Sipas policisë 31-vjeçari Isai ishte pronar i një bilardoje në qytetin e Vlorës. Identifikimi i 32-vjeçarit u bë pas rezultatit të ADN-së. Ekspertëet zbuluan se në trupin e viktimës kishte shenja dhune. Trupi i pajetë u gjet i mbuluar nga rëra dhe në gjendje të dekompozuar. Peshkatarë të zonës njoftuan policinë rreth orës 08:30 të asaj dite se kishin gjetur anës detit një kufomë të seksit mashkull. Viktima dyshohet të ketë qenë në ujë për një kohë të gjatë.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se në trupin e 31-vjeçarit Luan Isai, kufoma e të cilit u gjet 2 javë më parë e dekompozuar në bregdetin e Zvërnecit, janë gjetur disa shenja. Gjithashtu policia ka sekuestruar dy automjetet në pronësi të tij, një “Benz” dhe një “BMW” me targa italiane. Sipas raportimeve, Isai për “BMW”-në kishte thënë se ishte i disa miqve italianë. Me këtë detaj, duket se pista kryesore e policisë mbetet të jetë ajo e vrasjes. Luan Isai, i njohur ndryshe si Loni, ishte pronari i një bilardoje në Vlorë, u identifikua fillimisht nga rrobat nga miqtë e familjarët, por me analizat e ADN-së u vërtetua kush ishte.