Rritet sërish me 60% çmimi i siguracionit të makinave

Çmimet e siguracioneve të makinave janë rritur sërish. Sigurimi i detyrueshëm i makinave tashmë do të kushtojë deri 60% më shtrenjtë. Një polic sigurimi për makinat sot prihet mesatarisht 190 mijë lekë. Kjo rritje është në nivelin 60% dhe agjentët e sigurimeve thonë se, ky çmim nuk do të ndryshojë më. Kur shkon për të pyetur për arsyet e rritjes së çmimit, shumica e kompanive nuk kthejnë përgjigje.
Agjentë të tjerë thonë se çmimi për sigurimin e makinave është ndryshuar nga vetë kompanitë. Javën që shkoi kompanitë ulën çmimin në 11 mijë lekë, por kjo zgjati vetëm 3 ditë. Sipas rregullores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ato duhet të deklarojnë më parë tarifat e reja pranë autoritetit, por askush nuk jep sqarime se përse çmimet ndryshojnë menjëherë në këto nivele.
Kur shkon të pyesësh pse është rritur çmimi kompanitë nuk të kthejnë përgjigje. Ndërsa më të shqetësuarit janë qytetarët, të cilët thonë se, nuk mund të përballojnë dot këto tarifa. Qytetarët shprehen të revoltuar për rritjen e çmimeve. Ata thonë se nuk mund t’i mbajnë dot makinat me rritjen e çmimeve. Ku të vemi “ne s’i mbajmë dot më makinat me këto rritje çmimesh për siguracionet. Kam makinë të 2004 dhe të paguash 190 mijë lekë, kjo është e tmerrshme”, shprehet i revoltuar një qytetar.
Nga 60 mijë që ka qenë siguracioni i makinës në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, tani ka shkuar në 190 mijë lekë. Në këtë mënyrë rritja e çmimit të siguracionit të makinave ka shkuar në 250 për qind.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, pati një rritje tjetër të çmimit të siguracioneve të makinave. Kjo rritje e çmimeve sipas drejtuesve të kompanisë erdhi për disa arsye.
E para, ka të bëjë me reflektimin e vendimit të AMF-së, se primi i riskut nuk duhet të jetë më i ulët se 100 euro, çka do të thotë se nuk mund të shiten polica nën këtë vlerë. Sipas shoqërive të sigurimit, nga bilanci i të dhënave të gjashtëmujorit rezultoi, se primi i riskut ishte mbi 100 euro.
E dyta, sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, shkak për rritjen e tarifave janë aksidentet e shumta automobilistike që kanë ndodhur kohët e fundit e që kanë bërë që të rritet ekspozimi kundrejt këtyre rreziqeve.
E treta, sipas tyre, tarifa e re reflekton edhe rritjen e taksës së sigurimeve që hyri në fuqi në janar të 2016-ës. Në paketën e re fiskale 2016, taksa kombëtare nga 3% u rrit në 10%. Shoqëritë e sigurimit shpjeguan se nuk e reflektuan këtë ndryshim te primi i shkruar bruto për produktet TPL në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të AMF-së, produkti TPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2016, pati një rritje prej 4.10% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.20% krahasuar me periudhën janar – qershor 2016.

Artikulli paraprak1 ton drogë kalon në doganën shqiptare, bllokohet në Greqi
Artikulli tjetërDhunohet familja e gazetarit Skuqi, gruaja e masakruar, fëmijët të traumatizuar