“Bashkia e Tiranës po rrit çmimin e ujit si një dhuratë për pronarët e ardhshëm të Ujësjellësit të Tiranës, që do ta privatizojnë këtë kompani publike, me siguri për të ndarë bashkë fitimet me Erion Veliajn dhe Edi Ramën”. Ky është paralajmi i bërë dje nga Partia Demokratike, ku Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të PD deklaroi dje se i vetmi qëllim i rritjes së çmimit të ujit në Tiranë i shërben planit për privatizimin apo dhënien e UKT me konçesion dhe ndarjen e miliona eurove mes Ramës, Veliaj dhe konçesionarit, klient të tyre. “Me vendimin për rritjen e çmimit të ujit me 40%, Bashkia e Tiranës po u merr edhe më shumë para familjeve dhe bizneseve të kryeqytetit pa u dhënë një shërbim më të mirë. Nëse një familje paguan mesatarisht 10 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë, 14 mijë lekë. Nëse një biznes paguan mesatarisht 50 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë 70 mijë lekë. Rritja me 40% e çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës është e pajustifikuar dhe të gjitha të dhënat tregojnë se është një rritje për një aferë të madhe korruptive, privatizimin e Ujësjellësit të Tiranës. Prej 2 vitesh, ekspertët nuk pranojnë të çertifikojnë bilancet e Ujësjellësit të Tiranës për shkak të abuzimeve dhe keqmenaxhimit. Aktualisht, Ujësjellësi i Tiranës faturon vetëm 1 në 3 litra që prodhon, por për shkak të mungesës së investimeve, rezulton me fitim vjetor 5 milionë euro. Të gjitha të dhënat të çojnë në një konkluzion. Bashkia e Tiranës nuk po e rrit çmimin e ujit për të përmirësuar furnizimin me ujë. Ajo dështoi me këtë politikë kur rriti çmimin e biletës së autobuzëve”, u shpreh Kraja.
Çfarë fshihet pas rritjes së çmimit të ujit?
Në gusht të vitit 2016 një lajm i dhënë nga “Top Channel”, lajmëronte shitjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë. Lajmi kaloi pa shumë bujë, në mes të vapës së gushtit dhe zallamahisë që kishte pushtuar opinionin publik në lidhje me Reformën në Drejtësi, por mesazhi ishte i qartë. Ujësjellës Kanalizmet shumë shpejt do të shiteshin ose jepeshin me konçesion dhe për këtë janë ofruar sipas lajmit “janë vetëofruar kompani të huaja”, të cilat kanë shprehur dhe interes për të investuar në to. Pas këtij konçesioni duket se nuk qëndrojnë vetëm fitimet marramendëse prej gati 38 milionë euro në vit me çmimin e ri, por dhe lënia në dorë e të gjitha burimeve ujore të kurorës së Dajtit, por dhe të çdo kurore tjetër që njihen për cilësinë e tyre të lartë të ujit. Pra çështja është më e thellë se aq, ka të bëjë me “biznesin e së ardhmes” që është pikërisht ai i ujit. Veliaj jo vetëm që rëndon xhepat e qytetarëve, por grabit dhe pasurinë e përbashkët që janë burimet ujore. Ishte pikërisht paralajmërimi i asaj çka do të ndodhte një vit më vonë, dhe lajmi ka dalë siç pohon dhe vetë televizioni nga zyrat e Bashkisë. Më poshtë, ja se çfarë raportonte “Top Channel” në kronikën e tij të datës 23 gusht 2016: “Ujësjellësi i Tiranës po shkon drejt shitjes. Muajt e fundit janë ofruar disa kompani të huaja mes tyre dhe një kineze për të blerë Ujësjellësin e Tiranës, e cila aktualisht është SH.A dhe menaxhohet pjesërisht nga shteti dhe privati. Burime pranë Bashkisë së Tiranës konfirmojnë për “Top Channel” ofertat e mbërritura. Kjo, sipas tyre, falë perfomancës pozitive të 6 muajve të fundit të Ujësjellës-Kanalizimeve investimeve të bëra në përmirësimin e rrjetit si dhe në rritjen e arkëtimeve nga qyetarët. Ndonëse nuk bëhen publike emrat e kompanive të ofruara, burime pranë Bashkisë thonë se investitorët e huaj që janë vetëofruar për blerjen e UKT janë kompani serioze që operojnë në fushën e ujësjellësit, si dhe kanë shprehur dëshirën për të investuar edhe më shumë në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës dhe në përmirësimin e mëtejshëm të rrjetit ekzistues të Ujësjellës-Kanalizimeve. Të njëjtat burime pohojnë se këto oferta po merren në konsideratë nga Bashkia e Tiranës, pasi sipas tyre, Bashkia vetëm do të përfitonte nga shitja e një kompanie, e cila për vite me radhë ka rezultuar me humbje për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet nga qytetarë apo biznese, të cilët vidhnin ujin e pijshëm për të vaditur tokat ose për lavazhe. Sipas Bashkisë, në Tiranë është shtuar furnizimi me ujë të pijshëm në 12-13 orë në ditë dhe aktualisht nuk ka më zona që furnizohen me autobote nga ujësjellës-kanalizimet dhe arkëtimin e të ardhurave”.
Monopoli i shitjes së ujit të ambalazhuar
Por duket se pas shitjes qëndron dhe monopoli i shitjes së ujit të ambalazhuar. Shitja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka qenë si ide e Rama-Veliajt që përpara se ky të merrte detyrën. Jo më kot po këtë vit më datë 6 korrik, Rama do ngrinte një strukturë, e cila do të quhej Agjensia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila që në raportin e saj të parë evidentoi faktin se, “çmimi i ujit është shumë i ulët”. Eshtë një aferë korruptive e pastër. Veliaj me aktin e tij të ngritjes së çmimit me 45% ska bërë gjë tjetër vetëm se i ka hapur rrugë fitimeve marramendësë që sjell ky sektor. Sepse çështja nuk është vetëm tek mbledhja e faturave, aspak. Ndërrmarja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë është menaxhuesja dhe pronarja si të thuash e të gjitha biurimeve ujore për Qarkun e Tiranës, dhe e ardhmja e biznesit dihet që është uji. Kjo ndërrmarje ka në pronësi të saj dhe burimet e Shën Mërisë, Selitës, Shën Gjergjit, Zonës së Dajtit, deri në kufi me Burrelin që njihen për ujin e tyre me cilësi të lartë. Pra duket se pas privatizimit të ujësjellësit të një qarku që ka rreth 85 mijë banorë (një treg jashtëzakonisht i madh, sa thuajse 40% e tregut vendas) fshihet dhe një biznes tjetër, që është po aq fitimprurës sa i pari. Këtu në këtë raport nuk janë përfshirë dhe burimet e fshehura ujore të Tiranës dhe rrethinave të saj, e cila është e mbuluar me kurora malesh. Me sa duket studimi është bërë dhe fitimi është nxjerrë më parë.
Ujësjellësi, ndër kompanitë më fitimprurëse në vend, pse po shitet?
Por, duket se Erion Veliaj gënjen kur thotë se kemi të bëjmë me një ndërrmarje që del me humbje, dhe siç ka deklaruar para një viti kjo është arsye se përse duhet ta shesë atë. Për shembull në vitin 2015, Ujësjellësi i Tiranës u fut në 200 kompanitë më të mëdha të vendit, i cili realizioi një fitim bruto prej 23% ose e thënë më saktë 5 milionë euro të thata, ndërsa xhiroja vjetore ishte rreth 25 milionë euro. Kjo duke hequr shpenzimet, dhe me çmimin prej 45 lekë metri kub i ujit. Ky fitim vjen në një moment, kur 67% e ujit shpërdorohet dhe ujësjellësi nuk arrin dot të mbledhë të ardhurat, por sërish mbetet një prej sektorëve më fitimprurës. Në rast se do menaxhohej mirë, shifra prej 5 milionë fitim do të ishte rreth 20 milionë euro, ndërsa xhiroja vjetore duhet të ishte diku tek 100 milionë euro. Pra, duhet thjeshtë menaxhim. Ja çfarë raportonin mediat në vitin 2015 për këtë çështje. “Ujësjellësi i Tiranës zuri vendin e 22 në renditjen e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend për vitin 2015 dhe vendin e katërt ndërmjet kompanive me kapital shtetëror. Sipas të dhënave nga tatimet, vetëm kompanitë shtetërore të energjetikës, OSHEE, KESH dhe OST patën vlera më të larta fitimi se Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës. UKT sh.a., Tiranë realizoi xhiro vjetore rreth 3 miliardë lekë më 2015 ose 22 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet. Normën e fitimit bruto të Ujësjellësit të Tiranës prej rreth 23% për vitin 2015, do t’ia kishin zili edhe kompanitë private, që mesatarisht fitojnë 10-15%, apo dhe shumë më pak (2-5%) për kompanitë e mëdha të naftës apo të distribucionit. Bashkia e Tiranës zotëron 82.5% të aksioneve të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, 14.6% i ka Bashkia e Kamzës dhe 2.9% Bashkia e Vorës. Sipas bilancit 2014, vlera e aktiveve afatgjata materiale të Ujësjellësit është 11.3 miliardë lekë, apo rreth 80 milionë euro. Ujësjellësi ka një hua afatgjatë prej 5.7 miliardë lekësh. Kapitali i saj ishte 6.7 miliardë lekë (48 milionë euro) në fund të 2014-ës (përfshirë dhe fitimin e 2014). Ujësjellësi i Tiranës është operatori më i madh i fushës.
Historia e burimeve ujore të Tiranës
Tirana deri në vitin 1939 është furnizuar me ujë nga puset vetiake. Në vitin 1939, me përfundimin e qendrës së Tiranës (ndërtimin e ministrive dhe shëtitores “Dëshmorët e Kombit”), u vu në punë impianti i Pastrimit të Ujit në Brar, i cili merrte ujë në lumin e Tiranës pranë kataraktit me prurje 40 litra për sekondë së bashku me rrjetin që furnizon objektet e ndërtuara. Në vitin 1951, qytetit të Tiranës, përveç impiantit Brar iu shtuan edhe Burimet e Selitës, të cilat pasi përpunohen në Hidrocentralin Lana-Bregas, shpërndahen në depot e Tiranës. Me rritjen e numrit të konsumatorëve shtohen kërkesat për ujë. Në vitin 1964, Tiranës i janë shtuar burime të tjera: Burimi i Bovillës me prurje Q=140-420 l/sek dhe Burimet e Shën Mërisë me prurje Q=600 l/sek. Në vitin 1988, Tiranës i shtohen burime të reja me ngritje mekanike Bërxull dhe Pishinat. Me rritjen e kërkesave, po në vitin 1988, me fonde të përbashkëta nga Ministria e Bujqësisë dhe Komunale, u krye studimi për ndërtimin e Digës së Bovillës me kapacitet 80 milionë m³/ujë dhe aftësi përpunuese 40 milionë m³/ujë. Diga e Bovillës përfundoi në vitin 1999, e në funksion të saj u ndërtua impianti i Pastrimit të Ujit, me kapacitet përpunues prej 1800 l/sek. Në janar të 2007-ës, Shoqëria Strategjike Ujësjellës Kanalizime Tiranë, u transferua në pronësi të njësive vendore të zonës së shërbimit që përbëhet nga 3 bashki dhe 16 komuna. Licenca e fundit e shoqërisë është rinovuar nga Komisioni Kombëtar Rregullator i Ujit në mars të 2010-ës, pas një procesi monitorimi dhe vlerësimi të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë licencë nga Enti Rregullator i Ujit.