Rritja e çmimit të gazit me mbi 18-20 lekë për litër, veç të tjerash, është shndërruar në një kosto të papërballueshme për industrinë e përpunimit dhe për disa biznese të mesme, sidomos linjat e prodhimit të bukës.
Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja”, tha se një pjesë e industrisë përdor si lëndë të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht.
Rritja ishte më shumë se 25%. Ai pohoi se qeveria ka marrë vendimin që akciza të rritet vetëm për përdoruesit e automjeteve dhe jo për përdoruesit industrialë. Pas energjisë elektrike, gazi është lënda e parë që përdoret më së shumti edhe nga një pjesë e industrisë, e cila e përdor për ngrohje dhe funksione të tjera.
Edhe furrat e bukës janë të prekura nga ky fakt. Shumë prej tyre kanë shmangur përdorimin e energjisë elektrike, duke përdorur furrat e pjekjes me gaz, për të shmangur kostot e larta të përdorimit të elektricitetit. Por tani duken pa zgjidhje, pasi edhe çmimi i gazit ka shënuar rritje drastike.
Industria shqiptare e përpunimit për të tretin vit radhazi po përballet me kosto në rritje për shkak të keqfaturimit të energjisë elektrike, rritjes së taksave dhe rritjes së tarifave dhe taksave vendore.
Më 1 janar 2017, hyri në fuqi paketa e re fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu reagoi me rritjen e çmimeve uniform për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Një litër gaz kushton aktualisht mesatarisht 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 43-52 lekë që ishte në dhjetor 2016. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve dhe industrive.
Por rritja e taksave duket se nuk është shkaku i vetëm. Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve dhe lajmërimet për ditë më të ftohta në vijim e kanë rritur dukshëm kërkesën për gaz e për rrjedhojë, distributorët po e shfrytëzojnë këtë situatë duke rritur çmimin.
Rritja e çmimeve të lëndëve djegëse
Ky dimër jo i zakontë për nga temperaturat e ulëta, të cilat nisën që në fillim të vjeshtës e ka rritur ndjeshëm kërkesën për lëndë djegëse, dru, gaz dhe energji elektrike.
Në përgjigje të konsumit të lartë, tregu ka reaguar në rritje të çmimeve për drutë dhe gazin, teksa energjia për shkak se ofrohet nga kompanitë publike, po shitet me të njëjtat çmime.
INSTAT, në përllogaritjen e detajuar të inflacionit, njoftoi se çmimet e lëndëve djegëse, të cilat nisën të rriten qysh në mars të 2016, panë një rritje të fortë në nëntor 2016 me 5.3%.
Rritja e këtij grupi ka vijuar edhe në dy muajt në vijim në dhjetor 2016, por kulmi arriti në janar 2017, kur çmimi i gazit për ngrohje u rrit në mbi 20%.
Rritja e çmimit të lëndëve djegëse u stimulua veç kërkesës së lartë edhe nga politikat fiskale të qeverisë. Më 1 janar ka hyrë në fuqi akciza 8 lekë për litër ndaj gazit për automjetet, por tregu ka reaguar masivisht, duke rritur çmimet me trefishin e kësaj vlere për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Duke qenë se OSHEE ka sjellë në binarë pagesat e energjisë elektrike, konsumatorët po orientohen në konsumin e lëndëve të tjera për ngrohje për të shmangur faturat e larta të energjisë.
Për rrjedhojë, në dy vitet e fundit, konsumi i energjisë elektrike ka pësuar një ulje të lehtë, teksa është rritur kërkesa për ngrohje me dru dhe gaz. Por moratoriumi për pyjet duket se ka ngushtuar edhe më tej zgjedhjet për ngrohje, duke e bërë kështu të pashmangshëm rritjen e çmimeve.
Shqipëria është ndër të paktat vende që ende nuk është pa akses në rrjetet e gazit të paktën derisa të hyjë në punë gazsjellësi TAP më 2020, teksa ka një eficencë të ulët të banesave pasi mbi 90% e tyre janë pa ngrohje qendrore dhe pa hidroizolim.