Rritja e numrit të vetëvrasjeve dhe mungesa e shërbimeve për shëndetin mendor

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Më 10 shkurt një minorene 17-vjeçare u vetëvra në shtëpinë e saj në Gjirokastër. Hetimet paraprake sugjeronin se vajza u shty drejt aktit final nga përballjet e vazhdueshme me bullizmin dhe keqtrajtimin në shkollë. Ky ishte rasti i 6-të i vetëvrasjeve që ndodhën në Shqipëri gjatë muajve të parë të vitit 2025.

Në katër vitet e fundit, 598 persona kanë i dhanë fund jetës së tyre, ndërsa 487 të tjerë kanë tentuar vetëvrasjen.

Një nga periudhat më të errëta ishte viti 2024, i cili regjistroi numrin më të lartë të vetëvrasjeve në katër vitet e fundit, me 112 raste. Sipas ekspertëve, faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e vetëvrasjeve janë të shumtë, përfshirë situatën socio-ekonomike, shëndetin mendor dhe ndikimet sociale, si bullizmi dhe dhuna.

Pavarësisht rasteve duket se në vend mungon infrastruktura e shëndetit mendor. Mungesa e qendrave dhe mjekëve psikiatër bën që fenomeni që rastin më të mirë të neglizhohet.

Pse vetëvriten?!

Viti 2024 shënoi numrin më të madh të vetëvrasjeve të kryera në Shqipëri, me 112 raste që nga periudha e pandemisë COVID-19.

Ekspertët thonë se shkaqet e vetëvrasjeve shpesh janë të lidhura me faktore të jashtëm, si shpifjet, akuzat e padrejta dhe mjediset toksike. Grupi më i rrezikuar për këtë fenomen janë adoleshentët dhe të rinjtë, të cilët ndodhen në periudhën më të vështirë të jetës së tyre, kur janë të ekspozuar ndaj stresit dhe sfidave të shumta. Vetëvrasjet janë një simptomë e problemeve të thella sociale dhe psikologjike që kërkojnë vëmendje dhe trajtim urgjent.

Për psikologen Elona Mustafaraj, rritja e sjelljeve vetëvrasëse lidhet me faktorë të ndryshëm, duke përfshirë çrregullimet e humorit dhe depresionin, që shpesh janë të lidhura me situatat socio-ekonomike dhe personale.

Mustafaraj thekson se këto sjellje janë një tregues i rritjes së numrit të individëve që kanë problematika të shëndetit mendor.

“Nga këndvështrimi psikologjik ky është një tregues i rritjes së numrit të individëve që kanë problematika të shëndetit mendor dhe përgjithësisht, të çrregullimeve të humorit, depresionit. Mund të kemi dhe raste ku mund të jenë dhe elementë të tjerë të çrregullimeve të humorit, jo domosdoshmërish të depresionit”, – thotë ajo. Ndërkohë që sipas sociologut Gëzim Tushi, aktet e vetëvrasjes janë kthyer në një dukuri që po zgjerohet edhe më shumë në shoqërinë modern shqiptare.

Sociologu gjithashtu vë në dukje se vetëvrasjet janë shpesh rezultat i faktorëve të jashtëm, si bullizmi, dhuna, varfëria dhe papunësia, që krijojnë kushte të padurueshme për individët, duke çuar ata në vendime fatale.

“Shpifjet, bullizimi, akuzat e padrejta, intervenimi në jetën private dhe intime, dhuna, agresioni verbal e psikologjik, varfëria dhe papunësia kronike, sëmundjet e pashërueshme dhe gjëndjet terminale janë disa nga faktorët, të cilët kërkojnë aftësi për t’i administruar duke shmangur zgjidhjen fatale të vetëvrasjes” – thotë sociologu duke theksuar se një tjetër arsye përse vetëvrasjet janë kthyer në dukuri lidhet me krijimin e mjediseve toksike për shkak jetës vetmitare, divorceve dhe dhunës në familje.

Mungesa e shërbimeve

Qytetarë duke marshuar në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetiti Mendor.
Credits: LSA – Qytetarë duke marshuar në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetiti Mendor.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik (ISP), tregojnë se vetëvrasjet kanë qenë një problematikë e vazhdueshme për shoqërinë shqiptare.

Në vitin 2022, 0.8% e totalit të vdekjeve në vend ishin shkaktuar nga vetëvrasjet, ndërsa 130 vdekje ishin pasojë e sëmundjeve mendore, me grupmoshën 20-44 vjeç që përfaqësonte shumicën.

Sociologu Tushi thotë se aktet vetëvrasëse ndërmerren kryesisht pasi individi ndodhet në kushtet e vetmisë, depresionit dhe ndërprerjes së dialogut me vetëveten.

“Duhet forcuar rrjeti i Shërbimeve komunitare të shëndetit mendor, forcimi i kapaciteteve numerike e profesionale të psikologëve në shkolla, më shumë aktivitet fizik dhe më pak vartësi nga drogat klasike por sidomos nga “droga e re” e lidhjeve virtuale që po sjellin bullizëm, agresivitet, presion, e të tjera,” –  përfundon sociologu Tushi.

Në përpjekje për të adresuar këtë problem, janë ngritur disa qendra komunitare të shëndetit mendor, por Shqipëria po përballet me një mungesë të theksuar të mjekëve psikiatër.

Sipas të dhënave zyrtare nga kuotat e mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të paktën 8 mjekë ndjekin specializimin në psikiatrinë për të rritur dhe 4 për psikiatrinë për fëmijë dhe adoleshentë.

Pavarësisht kësaj, disa qendra janë ngritur në qytete si Tirana, Elbasani dhe Vlora, kapacitetet e këtyre qendrave janë të kufizuara.

Mjekët psikiatër raportojnë një ngarkesë të madhe pune, duke trajtuar deri në 25 pacientë në ditë, një numër që ka ndikim në cilësinë e shërbimit.

“Mjeku duhet të ketë një numër të kufizuar të vizitave për të qenë sa më efektiv, që të marrë vendimet më të mira, dhe të nxjerrë përfundimet më të mira për rastin. Kur studioja në Itali, psikiatri nuk trajtonte më shumë se 5 deri në 6 raste në ditë. Këtu trajtoj mesatarisht 20-25 pacientë në një ditë ” – thotë për “shteg.org” Arjana Rreli, mjekja psikiatre në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor pranë poliklinikës numër 3.

Pavarësisht rritjes së popullsisë në qytete si Tirana, infrastruktura e shëndetit mendor duket se nuk përballon nevojat për një qytet me mbi një milion banorë.

“Duke qenë se Tirana, kryeqyteti është metropol, është një qytet që zgjerohet çdo ditë edhe që shtohet me banorë, strukturat tona kanë mbetur tre, si në Tiranën që ishte me 400 mijë banorë, si në Tiranën që është sot mbi 1 milionë. Kështu që, rritja e numrit të banorëve presupozon që dhe probabiliteti për të pasur në këtë popullatë edhe probleme të shëndetit mendor është më i lartë. Fluksi tek ne është rritur nga viti në vit”, përfundon mjekja, Arjana Rreli.

Të dhënat kërkimore tregojnë se 1 në 3 persona (pa përjashtime moshore) shfaqin shenja të depresionit. Dhuna fizike dhe psikologjike raportohet si mbizotëruese në 50% të rasteve të abuzimeve në fëmijëri.

Exit mobile version