Rritje drastike e faturave të çmimit të ujit

Prej disa ditësh Bashkia e Tiranës ka paraqitur rritjen e çmimin e ujit të pijshëm dhe kërkon miratimin nga e ana e Këshillit Bashkiak.
Nga kjo rritje Erion Veliaj deklaroi se, qytetarët do të paguajnë më pak sesa çmimi i një gazete dhe sipas tij kjo ishte e domosdoshme pasi do të merret një kredi që do të bëjë një sistem të ri që mund të furnizojë Tiranën me 24 orë ujë.
Por si qëndron llogaritja sipas shifrave të reja?
Aktivistja Rezearta Çaushaj ka përllogarritur çmimin e ujit të pijshëm të një fature sipas tarifave të reja të publikuara nga Bashkia e Tiranës.
Fatura ka pësuar një rritje dhe kjo nuk është e paktë. Sipas aktivistes qytetari do të detyrohet që të paguajë 47% më shumë në krahasim me tarifat e vjetra.
Nga 9.300 lekë të vjetra që duhet të paguante qytetari për konsumin e ujit sipas tarifave të vjetra, me tarifat e reja duhet të paguajë 13.630 lekë.

Kostoja e dështimit

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka vendosur të dyfishojë çmimin e ujit të pijshëm për familjet dhe bizneset e Tiranës. Ështe një vendim që do të prekë qindra mijëra familje dhe do të ketë ndikim në koston e jetesës së familjeve të varfëra.
Në projektvendimin e paraqitur nga Bashkia pranë Këshillit Bashkiak thuhet se, vendimi për rritjen e çmimit të ujit bazohet në strategjinë 5-vjeçare të hartuar nga kompania Ujësjellës-Kanalizime e Tiranës (UKT) dhe nga një raport i vetë Bashkisë i bazuar në të dhënat e INSTAT për statistikat e rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë. Asnjë nga këto dokumente nuk është publik.
Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj dha një tjetër version dje në mëngjes në “Neës24”, ku u shpreh se dyfishimi i çmimit bëhet sepse UKT është zhytur në borxhe, situatë për të cilën fajësoi paraardhësin:
“Kur pati deficit financiar Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli Hotel Dajtin, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lana Bregasin. Që të mbushte deficitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi në rastin e një reforme që do të sillte ujë 24 orë. Duhen 220 milionë euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura”.
Ne nuk patëm mundësi të verifikonim situatën e kredive të UKT-së, por kjo deklaratë e Veliajt bie tërësisht ndesh me qëndrimin e tij një vit më parë, kur ai u mburr publikisht me gjendjen e suksesshme të UKT-së. Në gusht të vitit 2016, Veliaj shpalli se UKT do të privatizohet dhe për të kishte oferta nga disa kompani serioze dhe me njërën prej tyre, një kompani kineze të paidentifikuar prej tij, ishin bërë hapa konkretë.
Sipas tij, ky interes ishte “një kompliment për punën e UKT-së, …. që po kuotohet në treg falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët”.
Deklarimin e Veliajt ne e quajtëm që në fillim manovër për shpërqendrimin e publikut, pasi ato ditë Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport të ashpër për UKT-në, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe abuzime financiare. Sikurse ne parashikuam, që nga ajo kohë as Veliaj dhe askush tjetër nga Bashkia Tiranë nuk është shprehur më për interesin e madh të “kompanive serioze” botërore, as për kompaninë kineze që ishte në diskutime të përparuara me UKT-në dhe as për privatizimin në përgjithësi.
Një tjetër nismë e reklamuar shumë nga Bashkia Tiranë në lidhje me UKT-në ka qenë edhe bashkëpunimi me ujësjellësin e Pulias. Në nëntor 2015, kryebashkiaku Veliaj firmosi me bujë dhe reklamoi me të madhe një memorandum mirëkuptimi me Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano. Ky memorandum parashikonte ekspertizën dhe investimet e ujësjellësit të Pulias në UKT-në e Tiranës. Veliaj deklaroi atëherë se:
“Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas, do të kalojmë në një fazë investimesh, ku bashkë me ujësjellësin e Pulias do të sigurohemi që çdo qindarkë që investohet të ketë një dobi konkrete”.
Kanë kaluar gati dy vjet, por përveçse fotografive dhe deklaratave të firmosjes, nuk ka patur asnjë informacion për zbatimin e këtij memorandumi. Nuk dihet nëse u bë ndonjëherë auditimi i UKT-së nga puliezët, a u afrua ndonjëherë ekspertizë prej tyre, a u bë ndonjë investim prej tyre.
Dje në mbrëmje, Erion Veliaj hodhi në publik një tjetër justifikim për arsyen pse po tenton të dyfishojë çmimin e ujit të pijshëm. Në programin “Tonight” në “Ora Neës” ai u shpreh se, dyfishimi i tarifës së ujit është i nevojshëm për të bërë investime në zonën e Astirit në Komunën e Kasharit ku nuk ka fare rrjet ujësjellësi.
“Për situatën e ujit… Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër menaxhimin e ujit kur kryetar ishte Lulzim Basha, por kur ishte vetëm Tirana, por sot Bashkia ka marrë edhe zona si Kashari. Një pjesë që nuk ka qenë fare në Tiranë janë ujësjellës-kanalizime të fshatrave. Gjatë kohës që PD menaxhoi Komunën Kashar dha vetëm leje dhe pa vendosur fare rrjetin e ujit”.
Është një justifikim skandaloz. Të tentosh të ndërtosh ujësjellës-kanalizime me të ardhurat e nxjerra nga rritja e çmimit të ujit është absurd nga pikëpamja shoqërore, ekonomike dhe politike. Këto janë investime infrastrukturore, të cilat gjithmonë mbulohen nga fondet e investimeve të dhënë nga qeveria, prandaj Bashkia Tiranë duhet të shpjegojë pse nuk e ka përfshirë ujësjellësin e Kasharit në projektet e investimeve publike që financohen nga qeveria.
Kryebashkiaku Veliaj duhet të shpjegojë se mbi çfarë prioritetesh dhe logjike ai kërkoi dhe mori mbi 13 milionë euro nga qeveria për të rindërtuar Sheshin Skënderbej që nuk ka ndikim fare në jetën e qytetarëve dhe nuk ka kërkuar për furnizimin jetik me ujë të qytetarëve. Ai duhet të shpjegojë se, përse ka kërkuar dhe ka marrë angazhimin financiar të qeverisë për 130 milionë euro për të ndërtuar një djegës plehrash të panevojshëm, i cili mund të ndërtohet edhe nga privatët dhe nuk ka kërkuar për infrastrukturën e furnizimit me ujë të qytetarëve.
Çdo lloj shpjegim i arsyeshëm i vendimit të Bashkisë Tiranë duket i vështirë edhe për faktin se në faqen e Bashkisë Tiranë dhe të UKT Tiranë nuk gjen asnjë informacion mbi dokumentet, marrëveshjet, strategjitë e UKT-së. I gjithë informacioni mbi menaxhimin e kompanisë aty është i vjetëruar dhe jo transparent. Një strategji e botuar në faqen e kompanisë është e vitit 2011 dhe nuk i përgjigjet në asnjë aspekt realitetit të sotëm.
Shpjegimi më i besueshëm i veprimit të Bashkisë është kriza në menaxhim që ka sjellë krizë financiare të UKT-së, daljen prej së cilës Bashkia ka vendousr t’ja u faturojë qytetarëve përmes dyfishimit të çmimit të ujit të pijshëm të ofruar nga UKT.
Ky vendim nuk është mbështetur në asnjë analizë të bërë publike, asnjë strategji, asnjë projekt. Është vendim krejtësisht arbitrar dhe si gjithmonë fjala e kryebashkiakut para kamerave është e vërteta institucionale dhe ligji.
Por në ndryshim nga deklarimet e tjera, kjo e dyfishimit të ujit të pijshëm prek direkt koston e jetesës së qytetarëve, ndaj është e vështirë që kryebashiaku Veliaj ta dyfishojë çmimin e ujit vetëm me një fjalë goje.
Është momenti që ai të bëjë transparencë të plotë mbi gjendjen e UKT-së, aktivitetin e kompanisë dhe mbi të gjitha mbi menaxhimin e saj.
Së pari, zoti Veliaj do të duhet:
Të botojë dhe bëjë publik bilancin e UKT-së për vitet 2015 dhe 2016 siç e kërkon ligji, çfarë do të hedhë dritë mbi menaxhimin financiar të kompanisë, përfshi detyrimet kreditore dhe debitore.
Të botojë raportin vjetor të kompanisë për vitet 2015 dhe 2016, siç e kërkon ligji, çfarë do të hedhë dritë mbi menaxhimin e përgjithshëm të kompansië, përfshi menaxhimin e burimeve njerëzore.
Të raportojë se çfarë masash ka marrë UKT dhe Bashkia për trajtimin e vërejtjeve dhe problemeve të ngritura nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2016 për menaxhimin financiar të kompanisë.
Të botojë buxhetin vjetor të realizuar të Bashkisë Tiranë për vitin 2015 dhe 2016, për të kuptuar prioritetet e investimeve të Bashkisë Tiranë.
Mbi të gjitha, kryebashkiaku Veliaj duhet të argumentojë para publikut si ka arritur në përfundimin se dyfishimi i çmimit të ujit është zgjidhja më e mirë për problemet e UKT-së.
Për këtë ai duhet të bëjë publike analizën apo studimin që ka rekomanduar rritjen e çmimit si politikën më të mirë publike dhe të shpjegojë përse masat e tjera si ulja e kostos, përmirësimet teknologjike, huamarrja në tregun privat apo investimi nga qeveria nuk janë alternativa të bëshme.

Qytetarët paralajmërojnë protesta

Nisma “Thurrje” dhe Lëvizja “Qytetarët për Parkun” kanë paralajmëruar dje ngritjen në protesta kundër rritjes së çmimit të ujit. “Nesër (sot) qytetarë të Tiranës do të protestojnë kundër rritjes së çmimit të ujit që Bashkia Tiranë ka planifikuar të propozojë në Këshillin Bashkiak. Pavarësisht se Ndërmarrja e Ujësjellësit është një ndërmarrje që rezulton me fitim, Bashkia ka vendosur të ngrejë çmimin. Kjo sepse pas kësaj manovre fshihen interesa të errëta të klientëve të kryetarit të Bashkisë. Pasi rriti taksat për interesat e tij dhe pa asnjë efekt për qytetin, pasi mori nga xhepat e familjarëve miliarda lekë nëpërmjet taksës së infrastrukturës arsimore dhe më pas vendosi t’i japë shkollat me koncesion, pasi rriti biletën e autobusit pa ndryshuar asnjë gramë shërbimin, pasi rriti taksën e pastrimit dhe si përfundim plehrat digjen në periferi të Tiranës duke rrezikuar jetën e njerëzve, tashmë Lali Eri i ka hedhur sytë nga megaafera me çmimin e ujit dhe Ndërmarrjen e Ujësjellësit. Dëmi i shkaktuar tek kjo ndërmarrje i konstatuar nga KLSH ka qenë rreth 6 milionë euro, por edhe këto duket s’i mjaftojnë kryetarit që e ka oreksin shumë të madh. Ne nuk mund të lejojmë që Lali Eri të na rrëmbejë bukën e fëmijëve sepse ai vetë dhe klientët e tij janë të pangopur! Prandaj nesër (sot) në orën 18:00 te Bashkia për të ndalur këtë maskaradë”.

Ujësjellësi i Tiranës prodhon 3 herë më shumë sesa faturon

Ujësjellësi i Tiranës prodhon 3 herë më shumë sesa faturon! Mungesa e parave në arkë nuk zgjidhet duke rritur çmimin e vënë gjoba, por duke arkëtuar sasinë e prodhimit. Me këto shifra, duhet që çmimi të ulet dhe prapë ujësjellësi del me më shumë të ardhura se zakonisht sikur të mos abuzonte po vetë ky institucion së bashku me Bashkinë e Tiranës. Ujësjellësi dhe qyteti kanë nevojë për administrim e jo për gjobaxhinj e taksidarë. Rritja e çmimit të ujit nga Bashkia Tiranë u paralajmërua një javë më parë, teksa UKT bashkë me Veliajn u bëri një thirrje të beftë të gjithë konsumatorëve e bizneseve të kursenin ujin në çdo pikë pasi përndryshe do të kishte pasoja. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Relacioni i Bashkisë flet për rritje të investimeve dhe sigurimin e ujit 24 orë për Tiranën. Në vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura. Që pas zgjedhjeve, Bashkia ka nisur një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm dhe kjo jo pa qëllim. Duket se kjo po i paraprin vendimit të ri. Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë, ku pritet të ketë debate të gjata për tarifën e re. Bashkia argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018″. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projektvendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lekë/m3. Mediat kanë botuar tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish-NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42%. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori”. Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018”.

Exit mobile version