“Rrjetet sociale po shkatërrojnë jetën e adoleshentëve”/ Zekthi: Varësia, e rrezikshme

Nga Fitim Zekthi

Smartfonët, sidomos rrjetet sociale dhe videot e shkurtra, po shkatërrojnë në mënyrë të tmerrshme jetët e fëmijëve dhe adoleshentëve (ndoshta edhe të të rriturve). Emily Sehmer, një psikiatre për adoleshentët dhe një studiuese e njohur britanike, thotë se përdorimi i smartfonëve ka kapur përmasa të pamendueshme dhe dëmi që po shkaktojnë është dramatik. Një 12-vjeçar (në fakt, moshat nga 10 deri në 16 afërsisht) kalon 29 orë në javë mesatarisht në smartfon (gati sa orët e punës së një punëtori). Ajo thotë në studimin e saj dhe nga përvoja në klinikë se fëmijët dhe adoleshentët shfaqin probleme të thella të shëndetit mendor që lidhen me përdorimin e madh të rrjeteve sociale, me bullizimin online, me varësinë nga ekrani i smartfonit, si edhe nga të rënit pre e abuzimit seksual online.

Ajo thotë se fëmijët zhyten në botën apo botët online, kanë vështirësi të flenë, humbasin aftësinë për të qenë të vëmendshëm, kanë çrregullime emocionale dhe janë agresivë. Këta fëmijë apo adoleshentë pushtohen nga ankthi dhe frika se do dështojnë. Kërkojnë komfort, qetësi dhe vlerësim nga grupe të ngjashmish online. Për fat të keq, thotë Sehmer, disa prej tyre inkurajojnë dëmtimin e vetes, kanë çrregullime të të ngrënit dhe madje mendojnë apo tentojnë vetëvrasjen. Qëndrimi kaq i gjatë online ka pasoja neurologjike shumë serioze dhe “ne jemi të përmbytur me raste të deficitit të vëmendjes dhe çrregullime të tjera”, thotë Sehmer.

Ajo shton se “nuk mban mend (nga përvoja disa vjeçare në klinikë por edhe si studiuese) prej kohësh kur një fëmijë apo adoleshent arrin të shohë një film pa bërë scrolling në smartfon apo pa parë mesazhet”. Nga rrjetet sociale, pjesën dërrmuese të kohës e zë TikTok dhe efektin më të madh tek fëmijët dhe adoleshentët e kanë videot në TikTok dhe vetë TikTok si rrjet, ku gjenden të ngjashmit. Paralelisht, koha e qëndrimit të fëmijëve apo adoleshentëve me shokët, me njëri-tjetrin fizikisht, ka rënë me rreth 65% dhjetë vitet e fundit. Kjo rënie rritet përditë. Keq.

Exit mobile version