Nga Emirjon Senja
Kanë kaluar pak më shumë se 20 vite që nga shfaqja e eksperiencave të para të mediave sociale në formën që i njohim sot. Në fillim të shkurtit, Facebook mbushi 20 vjeç, ndërsa rrjeti social i parë konsiderohet Myspace, i cili lindi pak më herët. Më pas, ndoqën të tjerët.
Myspace ishte i pari që paraqiti konceptin e një hapësire digjitale të personalizuar për përdoruesit, përmes së cilës ata ndanin idetë, eksperiencat dhe qëndrimet e tyre për zhvillime të ndryshme.
Madje, në atë mur digjital mund të postoheshin edhe përmbajtje të mediave duke nisur kështu një formë të re të konsumit të përmbajtjes mediatike.
Kjo ishte baza e rrjeteve të tjera sociale duke shtruar më pas rrugën për Facebook, Twitter, Google+, etj.
Sot, rrjetet sociale kanë revolucionarizuar mënyrën se si ne ndërveprojmë me informacionin. Platformat shërbejnë si qendra virtuale ku përdoruesit mund të kenë qasje në përmbajtjet e postuara prej miqve, familjarëve dhe reklamuesve, krahas mediave.
Burim informacioni
Përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale ka ndryshuar edhe mënyrën e të bërit gazetari, ku Facebook, Twitter, etj., kanë revolucionarizuar tashmë praktikat tradicionale të funksionimit të redaksive të lajmeve.
Gazetarët tani mund të aksesojnë informacione bruto përmes rrjeteve sociale, mund t’i verifikojnë dhe shpërndajnë ato si lajme të vërteta dhe më pas të shohin në kohë reale ndërveprimin e audiencës me informacionin e shpërndarë.
Sigurisht që ky zhvillim nuk mund të vinte pa pasoja, pasi krahas përdoruesve të thjeshtë, nuk janë të pakta edhe mediat që kanë shpërndarë informacione të pavërteta, pasi kanë rënë në kurthin e garës për të dhënë lajmin e parë.
Përgjatë kësaj periudhe, rrjetet sociale kanë evoluar edhe vetë, ku përmes futjes në përdorim të algoritmeve kanë ndryshuar tërësisht eksperiencën e përdoruesve.
Lineariteti i mëparshëm i ka lënë vendin informacionit të personalizuar, duke rritur kështu edhe sasinë e përmbajtjes së konsumuar nga përdoruesit e rrjeteve sociale, rrjedhimisht edhe të kohës së kaluar aty.
Sfidat
Natyra virale e rrjeteve sociale të nxitur kryesisht përmes algoritmeve, mund të përforcojë narrativat e gabuara, duke çuar në përhapjen e informacionit të pavërtetë, por edhe duke nxitur pasiguri dhe mosbesim në shoqëri.
Edhe pse operojnë në një terren të vështirë, duke mbajtur standarde gazetareske rigorozë dhe protokolle strikte të verifikimit të fakteve, gazetarët mund të vijojnë të ndihmojnë në ofrimin e informacionit të saktë dhe të besueshëm për audiencat.
Në thelb, mediat sociale janë programuar të funksionojnë përmes ndarjes së informacionit që bëjnë përdoruesit me njeri-tjetrin në murin digjital apo përmes mesazheve direkte. Kjo ka demokratizuar shumë përhapjen e informacionit duke u hequr njëkohësisht mediave ekskluzivitetin e informimit të qytetarëve.
Megjithatë, ky shkëmbim i lirë i informacionit nuk mund të vinte pa sfida të mëdha, sidomos sa i përket të vërtetës.
Ndërkohë që mediat tradicionale si edhe ato të reja përpiqen të ruajnë standarde në drejtim të verifikimit dhe raportimit të informacionit, këtë nuk mund ta themi sa i përket mediave sociale, ku përdoruesit me apo padashje mund të përhapin informacione të rreme, pa verifikuar vërtetësinë e tyre.
Dezinformimi
Madje, studimet më të fundit tregojnë se një pjesë e mirë e përdoruesve të rrjeteve sociale shpërndajnë lajme në to duke lexuar pak ose aspak nga përmbajtja që gjendet në brendësi.
Sipas këtij studimi[1], vetëm 28% e personave që shpërndajnë artikujt të gjetur online në rrjetet sociale i kanë lexuar tërësisht ato, ndërkohë që pjesa tjetër ose ka lexuar vetëm disa rreshta në fillim, ose nuk ka lexuar fare.
Shpërndarja e informacioneve të pavërteta nxitet edhe nga fenomene psikologjike që ndodhin teksa përdoren rrjetet sociale.
Studimi zbulon se përdoruesit e rrjeteve sociale fillojnë të kenë më shumë besim te vetja se e zotërojnë një çështje të caktuar në rastet kur shpërndajnë në murin e tyre digjital artikuj në lidhje me to, ndërkohë që në të vërtetë kanë informacion të kufizuar.
Gjatë këtyre dy dekadave, mediat sociale kanë treguar se kanë një ndikim të madh në formësimin diskursit publik duke u kthyer shpesh në një pararojë të debateve për çështje të rendësishme që i interesojnë shoqërisë, megjithatë fakti që kemi të bëjmë me një terren pjellor për përhapjen e shpejtë të dezinforimimit me pasoja të mëdha shfaq nevojën për një kujdes të theksuar në drejtim të konsumit të përmbajtjeve që burojnë prej aty.
Zgjidhja
Vërtet rrjetet sociale kanë demokratizuar shpërndarjen e informacionit, por gjatë përdorimit të tyre kërkohet një kujdes i shtuar, si nga publikuesit, që në rastin tonë janë mediat kryesisht, ashtu edhe nga përdoruesit, të cilët duhet të kenë parasysh terrenin nëpër të cilin po lundrojnë.
Një pjesë e shteteve e kanë zgjidhur këtë problem duke vendosur filtra të forta në përdorimin e rrjeteve sociale duke kufizuar ndjeshëm aksesin në to, por që shpesh qasje të tilla janë bërë me qëllim ndalimin e shpërndarjes së informacioneve kunder qeverive në pushtet, gjë që ka dëmtuar demokracinë në vend.
Ndërkohë, shtete të tjera kanë zgjedhur një qasje më afatgjatë dhe më të kushtueshme duke vetëdijësuar përdoruesit e rrjeteve sociale për problemet që hasen gjatë përdorimit të tyre.
Rrjedhimisht, sfida kryesore tani mbetet gjetja e një të mesme të artë, ku nga njëra anë të mund të nxisim lirinë e shpërndarjes së informacionit dhe nga ana tjetër të mbrohet e vërteta, integriteti dhe dinjiteti njerëzor gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.