Blerja e votës apo premtimi për para në këmbim të saj duket se ka filluar të marrë përmasa shqetësuese. Ministri i Brendshëm ka publikuar numrin e denoncimeve për çdo rast (069 413 7777), një linjë telefonike e gatshme 24 orë ku garantohet dhe anonimati i denoncuesit. Dje janë pikasur në Luz të Kavajës dy persona, të cilët me lista në dorë po shkonin shtëpi më shtëpi për të premtuar para ose favore në këmbim të votës. Të dy personat kanë mundur të ikin dhe janë denoncuar në Policinë e Kavajës, ku shef Komisariati është Aliosha Brokaj, nipi i Sabit Brokajt, i cili është bërë palë me kriminelët e zgjedhjeve që këtë qytet. Falangat e Dajës dhe Rroshit po kërkojnë 24 orë në 24 votën në këmbim të parave. Dy personat që janë pikasur mendohet të jenë punonjës të administratës në OSHEE dhe në njësinë administrative të Luzit.
Situata
Në fakt situata në Kavajë duket aspak shpresëdhënëse për kandidatin Ahmetaj, i cili prej kohësh ka braktisur qytetin dhe po bën më shumë fushatë në zonën e Rrogozhinës. Në qytetin e Kavajës kanë mbetur vetëm Daja dhe Rroshi, të cilët tashmë që kanë ndjerë braktisjen e qytetarëve të Kavajës po bëjnë çmos për të blerë vota kryesisht për kandidatin e Bashkisë, Dorian Murataj. Por sërish fenomeni ekziston. Qytetarë të Kavajës thanë dje për “RD”, se dhe në qytet nuk janë të pakta rastet kur njerëz të administratës së Rroshit shkojnë derë më derë kryesisht natën, për të ofruar para në këmbim të votës. Një familje me katër vota paguhet deri në 40 mijë lekë, por mendohet se çmimi në ditët në vijim do të rritet. Dhe nuk është vetëm Kavaja. Në të njëjtën situatë ndodhet dhe Lezha, ku klani Ndoka ka hyrë fuqishëm duke premtuar para në këmbim të votave, për mikun e tyre Pjerin Ndreu që është i dyti në listën e kandidatëve. Ky i fundit së bashku me xhaxhain e tij, i cili nuk u lejua të kandidonte për shkak të problemeve me drejtësinë italiane, kanë rekrutuar elementin kriminal, të cilin e kanë shpërndarë në të gjithë fshatrat e Lezhës dhe Kurbinit, duke premtuar para në këmbim të votës. Raste të ngjashme po raportohen nga të gjitha qarqet e vendit.
Policia
Ngjashmëritë duket se janë të njëjtat me ato të zgjedhjeve të kaluara dhe Edi Rama po tregon dita-ditës se nuk di të respektojë asnjë marrëveshje. Kur kanë mbetur dhe 5 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj ka miratuar ngritjen e një platforme telefonike 24-orëshe (069 413 7777), për raportimin e rasteve të shitblerjes së votës, përfshirjes së punonjësve të Policisë në mbështetje të subjekteve elektorale, si dhe për të gjithë krimet e tjera elektorale. Po dje, policia publikoi dhe planin e masave për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por dhe procesin gjatë ditës së votimit. Rreth 270 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor. Por në jo pak raste ky fenomen po ndodh nën hundën e shefave të komisariateve, të cilët janë aty që nga koha e Tahirit dhe e Xhafës, përgjegjës për trafikun e drogës dhe përfitues direkt të parave të trafikut. Gjithsesi ditët në vazhdim janë dhe më vendimtaret, pasi janë ditët e fundit të fushatës. Deri më tani, ustallarët e kësaj pune po merren me evidentimin e personave, që janë të gatshëm të pranojnë para, ndërsa pagesat bëhen tre ditët e fundit të zgjedhjeve.
Armand MAHO