Një nga aferat më të mëdha të kësaj qeverie është padyshim aksi Thumanë-Kashar. Ndonëse u trumbetua me të madhe nga qeveria, ky aks jo vetëm që është kthyer në makth për banorët e zonës, por edhe për shoferët që udhëtojnë.
Dy muaj pas inaugurimit të aksit, asfalti ka filluar të bëhet gropa-gropa, duke u kthyer në gangrenë për shoferët. Duke qenë se kompania e Bashkim Ulajt ka hedhur dy gisht asfalt, të gjithë kamionët që kanë kaluar aty e kanë dëmtuar karrexhatën. Nga një vëzhgim i thjeshtë, të gjitha makinat lëvizin te korsia e shpejtësisë, pasi krahu tjetër është rrezik për aksidente duke qenë se shpejtësia është shumë e lartë.
Aksi Thumanë-Kashar është ndoshta rruga më e shtrenjtë në botë për kilometër, duke kushtuar deri në katër herë më shumë se rrugët europiane. Një raport i Bankës Europiane të Investimeve tregon se në vitin 2021, një kontratë koncesionare për ndërtimin e një autostrade 32 km të gjatë në Çeki, përfshirë mirëmbajtjen për 28 vite, kushtonte 16.5 milionë euro/km. Në Letoni, koncesioni Kekava Bypass për ndërtim dhe mirëmbajtje për 20 vite kushtonte 14.2 milionë euro/km
Në Shqipëri, Gener 2 ka marrë një koncesion me vlerë 1.3 miliardë euro për 35 vite për aksin Thumanë-Kashar, ku ndërtimi, mirëmbajtja dhe transferimi i saj do të kushtojë 61.9 milionë euro/km, një vlerë 3 deri në 4 herë më e lartë se partneritetet europiane. Ky aks ka kushtuar afro 435 milionë euro dhe jo vetëm që nuk është me standarde, por është kthyer në makth për banorët e zonës.
Prej disa javësh po protestohet prej tyre, teksa sot protesta do të zhvendoset para Parlamentit. Skandali është se autostrada u ndërtua, por nuk është lënë asnjë rrugë hyrëse apo dalëse për fshatrat aty. Të gjitha fshatrat janë izoluar dhe banorët nuk kanë se si të lëvizin. Përveç kësaj, është bllokuar dhe rruga e vjetër, me qëllim që të përfitojë Bashkim Ulaj. Skandali tjetër është pagesa. Edhe pse u tha se pagesa do të jetë 2.1 euro, në fakt qytetarët paguajë 270 lekë. Dhe skandalozja është se nuk pranohen në euro pagesat, ndonëse thuhet se është 2.1 euro. Pra një skenë e mirëfilltë grabitje, që detyron SPAK të vihet urgjentisht në lëvizje. /Pamfleti