Ka kaluar afati i fundit i dorëzimit të ofertave nga kompanitë e interesuara për koncesionin e Rrugës së Kombit, edhe pse afati është shtyrë disa herë, dhe më parë ka qenë data 25 Prill, sipas njoftimit të kontratës në faqen zyrtare të Ministrisë se Transportit dhe Infrastrukturës. Objekti i kontratës është koncesion PPP për ndërtimin, operimimin, mirëmbjatjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë, për një afat 30-vjeçar, dhe jo e ndarë në Lote. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i kësaj autostrade, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari i ardhshëm do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.
Burime nga Ministria e Transportit bëjnë të ditur se dy janë kompanitë në garë, një shoqëri turke dhe kompania tjetër Salillari shpk. Kjo e fundit pretendon se ka fituar koncesionin/PPP pasi ka paraqitur ofertën më të ulët. Ndërsa nga Ministria ende nuk ka nje fitues zyrtar, pasi sipas tyre nevojitet ende kohë për vlerësimin e ofertave dhe shpalljen e fituesit. Nuk dihet pse Salillari është vetëshpallur fitues, si është në dijeni që ka paraqitur ofertën më të ulët, apo cila është garancia që ai ka marrë nga Ministria, ndoshta nga lidhjet dhe me kompaninë PIENVIS, të babait të shefit të kabinetit të Haxhinastos, ku së bashku kanë bërë mirëmbajtjen e aksit të shumëpërfolur ku humbën jetën dy femijët 3 dhe 5-vjeçar. Gjithsesi ne mbetemi në pritje të njoftimit të Ministrisë për shpalljen e fituesit të koncesionit/PPP i cili është në vonesë dhe duhet të ishte perfunduar që prej një viti.